TIRANË- Rudina Hajdari iu kthen përgjigje të gjithë kritikëve që replikuan me të, pas kërkesës së saj në Parlament për të mbajtur një minutë heshtje në nder të 4 viktimave të 2 prillit 1991.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rudina Hajdari thotë se ata që kanë bërë politikë për plot 28 vite me kryetarin e sotëm të Kuvendit, Gramoz Ruçin e kritikojnë dhe bëjnë sikur duan shumë të djathtën.
Reagimi i plotë:
Të kërkosh nderim zyrtar me heshtje në Kuvend për Martirët e Demokracisë nuk është fyerje por akt dinjitoz për ata që besojnë në vlerat demokratike.
Ata që bëjnë sikur e duan shumë të djathtën duhet të kenë parasysh se me Gramoz Ruçin dhe partinë e tij kanë 28 vjet që bëjnë politikë.
Mos të harrojnë historinë se Z. Islami që ishte Kryetar i Kuvendit Komunist e kanë bërë pjesë të grupit parlamentar ndërsa me Lufter Xhuvelin kanë mbajtur koalicion.
Drejtësi duhet të bëhet për Martirët e Demokracisë ashtu siç edhe për dhjetra raste të rënda në Shqipëri të cilat kanë mbetur si gjurma në akull si shkak i politikës 28 vjeçare…
Ditën e djeshme, deputetja demokrate Rudina Hajdari kërkoi që të mbahej 1 minutë heshtje në nder të 4 viktimave të masakrës së 2 prillit 1991. I akuzuari kryesor i familjarëve të viktimave, Gramoz Ruçi kërkoi nga deputetët që të ngriheshin në këmbë dhe thanë: U prehshin në paqe.






































