Ruleti rus në Rusi, Maqedoni e Serbi dhe çështja shqiptare

11.03.2017 11:43:11

(Një analizë pak më e gjerë e zhvillimeve paszgjedhore në Rusi dhe Serbi, dhe ndikimi i tyre në çështjen shqiptare)


Rexhep Kastrati

Demokracia si mënyrë e rregullimit të raporteve shoqërore, por edhe të raporteve ndërmjet shtetit dhe bartësve të sovranitetit shtetëror, qytetarëve të një vendi, në Rusi, kaherë është kuptuar si një lojë roleti, sipas së cilës, drejtuesit e lartë të shtetit vetëm sa ndërrojnë numrat, përkatësisht karriget. Dhe kjo lojë ruleti, në Rusi ka filluar që në kohën e presidentit rus, Boris Jelcin, i cili i pari e kishte hedhur zarin për të zgjedhë pasuesin e tij: Vladimir Putin, të cilin e bëri president duke ia lënë në dispozicion kohën e mbetur nga mandati i tij. Dhe kjo lojë ruleti rus vazhdoi ndërmjet Vladimir Putinit dhe Dmitri Medvedev, gjatë të cilës lojë këta dy e zëvendësojnë njëri-tjetrit. Dhe kjo lojë ruleti rus në demokracinë ruse zhvillohej varësisht nga nevojat e brendshme dhe të jashtme që kishte Rusia, dhe varësisht nga imazhi që duhej të krijohej në botë për Rusinë. Kështu, Boris Jelcin, ishte president me profil të një njeriu të fortë, por edhe bashkëpunues me pjesën tjetër të botës, përkatësisht me pjesën euroatlantike të saj, pasi që ishte kohë kur vendit i duhej një president i fortë, por edhe që jepte shpresa për popullin rus për ndryshime pozitive demokratike, ashtu siç, edhe zona euroetlantike që kishte nevojë për një president rus, i cili do të mund të mbante nën fre zhvillimet e mundshme negative, sidomos reagimet e mundshme negative që mund të kishte Moska gjatë procesit të ripavarësimit të disa ish-republikave sovjetike, e të cilat më parë kishin qenë të pavarura, reagimet lidhet me rreziqet që paraqiste çështja e armëve bërthamore që ishte bërë e mprehtë, sidomos që nga shpërthimi në Çernobil më 1982, por edhe me shpërndarjen e arsenalit bërthamor nëpër shtete të ndryshme që u krijuan gjatë zhbërjes së BRSS-së. Perëndimi kishte nevojë për një president që edhe i mbante nën fre reagimet negative lidhur me të gjitha këto vështirësi dhe rreziqe, por edhe që do të orientonte shtetin rus drejt një bashkëpunimi konstruktiv me Perëndimin, duke i dhënë kështu fund luftës së ftohtë. Mirëpo, nuk ishin vetëm këto arsyet që e kishin bërë profilin e Boris Jelcin të jetë një president i përshtatshëm edhe për Rusinë, edhe për Perëndimin, sepse një arsye e fuqishme ishte edhe gjendja ekonomike e shtetit të madh sllav, ajo që favorizonte një profil të tillë. Gjendja ekonomike e Rusisë ishte gjendje e rëndë, edhe për shkak të dështimit të një ekonomie të komanduar që më shumë sesa për mirëqenien e qytetarëve, përdorej për garën në armatim me rivalin, SHBA-të, dhe nuk jepte gjasa se mund të përballonte një vazhdim gare bërthamore, prandaj, edhe ishte koha kur raportet me Perëndimin duhej të zbuteshin. Dhe kush mund ta bënte këtë më mirë se Boris Jelcin?
Me kalimin e viteve, dhe me riforcimin e ekonomisë ruse, ishte e qartë se vendi po përgatitej për t’u rikthyer fuqishëm në skenën gjeopolitike e gjeostrategjike botërore, jo tashmë si një vend thuajse i falimentuar, por si një rival i sërishëm i SHBA-së, kërkonte një profil pak më të fuqishëm dhe jo aq dashamirës ndaj Perëndimit  sa tregohej Boris Jelcin. Dhe ishte vetë Boris Jelcin që e kishte hedhur zarin dhe numri kishte rënë te Vladimir Putin, një profil i njeriut që ishte krijuar si një makinë kundërperëndimore në shërbimin sekret sovjetik: KGB, duke qenë edhe në krye të tij. Periudha e Vladimir Putinit si president i Rusisë, ishte periudhë e fuqizimit ekonomik të Rusisë, e që ndikoi edhe në fuqizimin gjeopolitik dhe gjeostrategjik, pasi që më pak kishte nevojë për ndihmën e Perëndimit. Në anën tjetër, edhe pasurinë me gaz natyror e kishte shndërruar mjeshtërisht në një mjet për përfitime gjeopoltike dhe gjeostrategjike, dhe për të pasur më shumë ndikim në të gjitha këto zhvillime. Nevoja e madhe që Perëndimi kishte për gazin rus, i kishte krijuar Rusisë disa përparësi në aspektin e përqasjeve ndërkombëtare. Nevoja e Perëndimit për gazin rus, ndërkaq, Rusinë e kishte kthyer në një partner të fuqishëm për marrëdhënie të mira ekonomike. Kështu, gjatë periudhës së parë të Vladimir Putinit, Rusia u kthye si një lojtar i fuqishëm në lojrat tepër të mëdha dhe të nxehta gjeopolitike e gjeostrategjike. Në anën tjetër, forcimi i Rusisë, e që u shoqërua edhe me një ndikim më të madh në rajone të fuqishme gjeopolitike e gjeostrategjike në botë, siç janë: Lindja e Afërt, Afrika Veriore dhe ajo Lindore, në Azinë e largët Lindore, në Ballkan, por edhe në Amerikën Latine dhe në atë Qendore, kishte bërë që në Moskë të shfaqen tone shumë agresive të vetë Vladimir Putinit. Dhe këto deklarata agresive, jo çdo herë u mirëpritën nga Perëndimi.
Për shkak se i përfundonte edhe mandati i dytë dhe kushtetura ruse nuk parashikonte mundësinë e një mandati të tretë, dhe për shkak të acarimit të shpeshtë me Perëndimin, Vladimir Putin e hodhi zarin dhe e zgjodhi Dmitri Medvedevin për të bërë presidnetin e Rusisë. Dmitri Medvedev, sikurse Vladimir Putin në fillim, ishte një personalitet jo shumë i rëndësishëm në Moskë, e thuajse aspak i njohur në Perëndim. Për më tepër, gjithë karrierën e tij politike ia dedikonte Vladimir Putinit, dhe në rolin e presidentit rus, vinte sa për të plotësuar një vend, dhe sa për t’ia mundësuar Vladimir Putinit një qeverisje pa probleme në Rusi. Kështu, loja e ruletit rus, u shndërrua në një lojë shahu, në të cilën filluan rokadat e para: Vladimir Putin u bë kryeministër i Rusisë, kurse Dmitri Medvedev u bë president i Rusisë. Fytyra e panjohur dhe më pak djallëzore e Dmitri Medvedev, duhej të përcillte, po ashtu, edhe profilin e një presidenti më të butë dhe më bashkëpunues me Perëndimin. Edhe pse nuk mund të thuhet se Vladimir Putin nuk kishte fare sukses në këtë qëllim, duhet thënë se për Perëndimin, Dmitri Medvedev mbeti një figurë topi që e shkrehte si donte vetë kryeminsitri Putin. Se ishte kështu, dëshmon edhe zelli që Dmitri Medvedev tregoi për ndryshimin e kushtetutës ruse, e cila do t’i mundësonte Vladimir Putinit rikthimin në Kremlin, si president rus, si dhe në fushatën që bëri në favor të këtij të fundit. Dhe ardhja e Vladimir Putinit sërish në krye të shtetit rus, dhe kalimi i Dmitri Medvedev në postin e kryeminsitrit, pra ndërrimi i vendeve ndërmjet tyre, dëshmon për mënyrën ruse të të kuptuarit të demokracisë, si dhe pafuqinë reale të ndonjë force të dobët politike me orientime më demokratike.
Dhe në këtë pikë, ruleti rus me demokracinë, është model që u shërbeu sllavoortdoksëve të Ballkanit, të cilët janë në një komplot të hershëm kundër shqiptarëve. Në Maqedoni, kryeministri i fuqishëm dhe ultranacionalist, vendos një president të dobët, një mik të tij, një bashkëpunëtor të tij, një person që u zgjodh pas hedhjes së zarit nga ana e kryeministrit Nikolla Gruevskit. George Ivanov, një figurë jo shumë e njohur në vetë Maqedoninë, u bë president në saje të vullnetit të kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili njëherësh është edhe shef i partisë ku është i anëtarësuar Ivanov. Nevoja e Maqedonisë që krahas një kryeministri ultranacionalist, i cili de facto luan të gjitha lojrat e shtetit në raporte të brendshme dhe ndërkombëtare, të ketë një fytyrë më të butë dhe kukull në duart e liderit të fuqishëm të partisë dhe të qeverisë, kishte bërë që edhe ky shtet i vogël dhe i dobët sllavoortodoks me një shumicë të madhe të shqiptarëve atje, të merrte shembull Rusinë, dhe të luante këtë lojë ruleti rus.
Dhe kjo lojë ruleti rus, tashmë ashiqare u shfaq edhe në Serbi. Zgjedha e ultranacionalistit, Nikoliq në postin e presidnetit të Serbisë, nuk është asgjë tjetër vetëm një vazhdim i ruletit rus, pasi që edhe në Serbi do të vazhdojë të luhet loja ruse me profile figurash të rëndësishme shtetërore, sepse edhe në Serbi, duket se do të kemi një president radikal, dhe një kryeministër të konceptuar si i moderuar dhe properëndimor. Deklarata e ish-presidnetit serb, Boris Tadiq se do të jetë kryeministër i Serbisë, do të thotë se Serbia do të vazhdojë ruletin rus me një president radikal dhe me një kryeministër properëndimor. Me fjalë të tjera, ruleti rus në Rusi, në Maqedoni dhe në Serbi do të vazhdojë kështu: president i fuqishëm dhe kryeministër i butë në Rusi e Serbi, dhe president i butë dhe kryeministër të fuqishëm, në Maqedoni. Pra në këto tri shtete sllavoortodokse, do të kemi dy figurat kryesore të shtetit me profile të kundërta, si në Serbi, ose të ndryshme në dukje, si në Rusi dhe në Maqedoni.
Po pse kjo në këtë kohë? Pse duhet të na interesojë neve shqiptarëve kjo lojë ruleti rus i zhvilluar në shtete sllavoortodokse?
Neve shqiptarëve, këto zhvillime duhet të na interesojnë dhe duhet t’i kuptojmë shumë drejt dhe shumë mirë, sepse bëhet fjalë për dy shtete që kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me ne, siç është Serbia dhe Maqedonia, por edhe për faktin se një nga arsyet se përse po zhvillohet kjo lojë ruleti rus, është edhe konteksti gjopolitik e gjeostrategjik i çështjes shqiptare.
Tashmë dihet botërisht se konteksti gjeopolitik e gjeostrategjik në të cilën është çështja shqiptare, është kontekst i një forcimi të madh të rolit të Rusisë në zhvillimet gjeopolitike e gjeostrategjike botërore, dhe po ashtu, edhe një forcim i madh i rolit të Serbisë, por edhe e imazhit të saj në raporte gjeopolitike e gjeostrategjike rajonale dhe më gjerë. Në anën tjetër, është një zbehje, dobësim dhe komprometim i imazhit të shqiptarëve dhe të Kosovës, në kuptimin e keqqeverisjes, në kuptimin e keqfunksionimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, dhe në kuptimin e një trajtimi më të gjerë dhe më të shumtë të bazës kriminale të një pjese të madhe të politikës shqiptare në Kosovë dhe më gjerë. Ka një kohë që po qarkullon një akuzë e Dik Martit për Hashim Thaçin dhe të tjerë lidhur me trafikim organesh, Zvicra ka hehdur në gjyq Azem Sylën, i ashtuquajtur komandant i UÇK-së, kurse media të ndryshme të huaja po hedhin dritë mbi fytyrën kriminale të Xhavit Halitit. Korrupsioni dhe mungesa e lirisë së shprehjes dhe në përgjithësi e lirive dhe e të drejtave të njeriut, janë elemente të tjerë që e kanë zbehur tepër shumë imazhin e shqiptarëve në botë.
Konteksti gjeopolitik dhe gjeostrategjik në të cilin ndodhet çështja shqiptare sot, po ashtu është kontekst i një faze tepër të përparuar të procesit të realizimit të interesave sllavortodokse në rajon: në Kosovë janë realizuar shumë marrëveshje të dobishme për serbët dhe për Beogradit, që kulmuan me marrëveshjen për vulat doganore të Kosovës, nga të cilat është hequr emërtimi “Republikë”, pastaj me marrëveshjen për qarkullimin e njerëzve e mallrave, sipas së cilës shqiptarët dhe shtetasit e Kosovës në përgjithësi nuk mund të lëvizin me pasaporta të Republikës së Kosovës, e as me targa “KS”, e që u përmbyllën me marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës me një fusnotë, në bazë të së cilës rikthehej fuqishëm Rezoluta 1244, edhe pse kjo rezolutë nuk është pjesë e sistemit juridiko-kushtetues të Kosovës. Në anën tjetër, në Maqedoni, përkatësisht në hapësirën shqiptare atje, është bërë një decentralizim i ngjashëm si në Kosovë, e që do të thotë se në hapësirën shqiptare në Maqedoni janë krijuar komuna sllavomaqedonase, sikurse enklavat serbe në Kosovë, me anë të të cilave sllavomaqedonasit përvetësuan një pjesë të madhe të territoreve shqiptare atje.
Ndërkaq, tashmë jemi në një fazë të proceseve në rajon, sidomos në hapësirën shqiptare në rajon, e që nënkupton përcaktimin dhe vendimmarrjen për çështjet më themelore të të gjithë raporteve ndërmjet sllavoortodoksëve dhe shqiptarëve: vendosja e kufijve të brendhsëm në Kosovë, si hap i parë apo i drejtëpërdrejtë i ndarjes së Kosovës, si dhe i ndarjes së Maqedonisë ndërmjet sllavomaqedonasve dhe shqiptarëve. Dhe ky proces është proces i ripërcaktimit të kufijve në rajon në dëm të shqiptarëve.
Dhe në këtë fazë, si në fazat pararendëse, vërehehet një bashkërendim i strategjisë së sllavoooprtodoksëve për të përmbyllur në të mirë të tyre realizimin e interesave të tyre në rajon. Për t’i realizuar këto interesa, e që si zgjidhje minimaliste nënkuptojnë status special për veriun e Kosovës, dhe si zgjidhje maksimaliste, ndarjen e plotë të asaj pjese, sllavoortodoksët janë duke e keqpërdorur demokracinë, përkatësisht format e përzgjedhjes së bartësve të institucioneve shtetërore.
Dhe në këtë kontekst duhet parë edhe fitoren e Tomislav Nikoliqit në zgjedhjet presidenciale në Serbi, si dhe fitoren e partisë së tij në zgjedhjet kuvendore atje. Kjo lojë ruleti rus, do të thotë se në krye të shtetit serb do të jetë një radikal ultranacionalist, kurse në krye të qeverisë do të jetë një demokrat i moderuar dhe propërendimor. Dhe këtë lojë ruleti rus,  e kanë bërë të qartë vetë dy njerëzit më të fuqishëm të Serbisë: presidenti i sapozgjedhur serb, Tomislav Nikoliq dhe i përfoluri për postin e kryeministrit, Boris Tadiq. Deklaratat e tyre të para janë përplotësuese: Tomislav Nikoliq, në kundërshtim me shqetësimet e Perëndimit, deklaroi se përcaktimi për Evropën nuk do të ndryshojë, por ne vetëm do të mbrojmë popullin tonë në Kosovë. Këtë e ka thënë vazhdimisht edhe Boris Tadiq, i cili nga ana e tij u mundua ta trembte Perëndimin se Serbia mund të kthehej në gjendjen e viteve ’90. Kjo do të thotë se nëse nuk e mbështesni platformën: edhe Evropën, edhe Kosovën, e që është platformë jo vetëm e Boris Tadiqit, por e shtetit dhe e partive politike serbe, Serbia dhe rajoni do të kthehen në gjendjen e viteve ‘90.
Mirëpo, për arsye strategjike, presidenti serb do të bëjë radikalin, njeriun që nxjerr telashe politiko-diplomatike në marrëdhëniet me Kosovën dhe në përgjithësi në marrëdhëniet rajonale e më gjerë, kurse Boris Tadiq do të kërkojë kompromise shtesë në raport me Kosovën, sepse në të kundërtën situatën do ta marrë në dorë presidenti radikal. Dhe siç është dëshmuar deri më tash, Perëndimi ka qenë i gatshëm për të përmbushur dëshirat e Boris Tadiqit, ashtu siç ka vepruar edhe deri më tash. Kështu, Katër Pikëshi i tij do të mbetet kompromisi që do ta pranojnë edhe vetë nërkombëtarët, e që faktikisht është bosnizim përfundimtar i Kosovës. Në anën tjetër një president i fuqishëm rus, siç është Vladimir Putin, i cili hapur kishte deklaruar se për Rusinë, Kosova është më e rëndësishme sesa Irani, deklaratë e bërë në kontekst të diskutimeve për Pakon e Ahtisarit në përfundim të fazës së atëhershme të negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të jetë shumë i ashpër ndaj çdo lloj trysnie që mund të bëhet ndaj Beogradit për të lëshuar pe në raport me Kosovën. Në këtë mes Maqedonia do të vazhdojë të jetë melmesa e strategjisë sllavoortodokse kundër shqiptarëve, e cila do të vazhdojë që me një kryeministër ultranacionalist dhe që di të jetë edhe më radikal se Shesheli, të provokojë shqiptarët, duke e mbajtur një vatër potenciale të krizës dhe të luftës. 
Dhe strategjia sllavoortodokse do të dukej kështu: Serbia do të kërkojë lëshime të mëtutjeshme në Kosovë me kërcënimin e dobësimit të pozitave properëndimore të Boris Tadiqit, i cili do të jetë melhem për varrë për Perëndimin krahasuar me retorikën nacionaliste të Tomislav Nikoliqit; Rusia nga ana e saj do të bllokojë çdo lloj trysnie ndaj Beogradit, rolin e madh të së cilës e paralajmëroi edhe vetë Tomislav Nikoliq, i cili paralajmëroi se vizitën e parë do ta bëjë në Rusi, e pastaj në Bruksel dhe në Berlin ; kurse Maqedonia do të jetë shkrepsa sllavoortodokse që do provokojë konflikte dhe destabilitet rajonal me shqiptarët. Në gjithë këtë strategji, Boris Tadiq do të jetë njeriu i vetëm paqësor, demokrat dhe properëndimor, dhe alternaitiva e vetme që Perëndimi do ta mbështeste pa rezerva, edhe nëse kjo mbështetje do të kërkojë lëshime të tjera të Kosovës ndaj Serbisë. Tërë kjo do të bënte më të pranueshme platformën serbe: edhe Evropën, edhe Kosovën, e të cilën Boris Tadiq e ka paraqitur si Plani Katër Pikësh.
Kjo strategji sllavoortodokse nuk është se nuk i pëlqen vetë Perëndimit, pasi që do ta ketë më të lehtë që të detyrojë shqiptarët të pranojnë Planin Katër Pikësh të Boris Tadiqit. Por përfitimet e Perëndimit do të jenë edhe në rajone të tjera gjeopolitike e gjeostrategjike, e të cilat i përmenda më lartë, e që konkretisht lidhen me gjendjen në Siri, Iran dhe në disa shtete të tjera, e në të cilat kundërshtimi dhe ndikimi rus është shumë i madh dhe i fuqishëm.
Në anën tjetër, zhvillimet e këtilla do të rritin edhe më shumë radikalizimin e situatës, përkatësisht do të bëjnë më të fuqishëm zërat nacionalistë shqiptarë, të cilët do të këmbëngulin që të mos negociohet fare me Beogradin, përkatësisht të angazhohen për bashkim kombëtar të shqiptarëve. Dhe forcimi i kësaj linje, është në interesin më të mirë të Beogradit, pasi që do të legjitimojë kërkesën maksimaliste të tyre: ndarjen e Kosovës, kurse për shqiptarët do të krijojë një ferr të ri si dhe do të mundësojë një ricopëtim të trojeve shqiptare në dobi të sllavoortodoksëve. Natyrisht se rritja e ngjyrimeve nacionaliste në rajon: në Serbi nëpërmjet forcimit të partisë së Tomsilav Nikoliqit, pasi që siç dihet në Serbi “përparimtarët” e Tomislav Nikoliqit shënuan fitore të dyfsihtë, edhe në zgjedhjet presidenciale, e edhe ato kuvendore; në Maqedoni nëpërmjet dominimit të partisë nacionaliste sllavomaqedonase me kryeministër të fuqishëm  dhe me president po nga e njëjta parti, dhe; në Kosovë, nëpërmjet forcimit eventual të pozitave të “Vetëvendosjes”, kurse në Maqedoni dhe në shtetin aktual shqiptar me forcimin e ndikimit të Koço Danajt dhe Aleancës Kuq e Zi, pra të një spektri politiko-partiak që kërkon ndryshim kufijsh në rajon,  eqë e quajnë bashkim kombëtar të shqiptarëve, por që në të vërtetë është ricopëtim i mëtejmë i territoreve shqiptare. Dhe një dominim i radikalëve në rajon, do të mund të provokonte një përkeqësim të mëtutjeshëm të situatës rajonale. Përsëri, edhe me këtë rast, Boris Tadiq do të ishte për Perëndimin zëri më i arsyeshëm që do të kishte përkrahje të fuqishme.
Mirëpo, kjo strategji sllavoortodokse i leverdis edhe linjës edhe koalicionit aktual qeverisës, përkatësisht kryeministrit Hashim Thaçi, i cili përsëri do të ishte më bashkëpunues se gjithë të tjerët me Beogradin, ashtu edhe siç ka dëshmuar deri më tash. Dhe një kontekst i këtillë, do të shërbejë si një justifikim për Hashim Thaçin, për lëshimet të tjera ndaj Serbisë, sepse do të vazhdojë të kujdeset për forcimin e pozitave të Boris Tadiqit në Serbi, ashtu siç është kujdesur deri më tash.
Me fjalë të tjera, me këtë lojë ruleti rus në Rusi, në Maqedoni e në Serbi, do të ishin të gjithë të kënaqur: sllavoortodoksët, Perëndimi dhe Hashim Thaçi, kurse ata që do të pësojnë do jenë shqiptarët dhe territoret shqiptare, të cilat do të rrezikojnë të copëtohen sërish…