Rushiti: Sa më shumë vonohet dënimi i dhunuesve, aq më keq për viktimat e luftës

21.05.2019 22:52:49

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se sa më shumë që të vonohet një proces ku dënohen të dyshuarit për dhunimin e femrave kosovare gjatë luftës aq më keq për viktimat.

“Çdo vonesë shkakton dëm te viktimat. Ato po vdesin, po plaken, po demotivohen për të hyrë në proces. Dhe kjo është njëfarë drejtësie e mohuar”, është shprehur Rushiti në RTK.

Ajo ka thënë se ajo dhe organizata që drejton është në mbështetje të nismës së Kosovës për tribunal, por ka thënë se Kosova aktualisht është në një pozicion të pavolitshëm.

“Kosova politikisht është në pozicion të pavolitshëm në raport me OKB-në”, ka thënë Rushiti, duke kujtuar se si edhe pas kontakteve me mekanizma të OKB-së, rasti i Kosovës ishte lënë jashtë në raportin e mëhershëm.