Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Moska pret angazhim në dialog me administratën e presidentit të ri amerikan, Donald Trump, në çështje që kanë të bëjnë me stabilitetin strategjik, përfshirë edhe atë për armët bërthamore, pas inaugurimit të Trumpit më 20 janar.
Ai ka thënë se Rusia është e gatshme të takohet me administratën e Trumpit për diskutimin e këtyre temave, pasi Trump të nis detyrën.
Lavrov ka thënë se Moska nuk i ka interpretuar deklarimet e Trumpit si ofertë për heqjen e sanksioneve amerikane si ndëshkim për veprimet ruse në Ukrainë dhe gjetkë, në këmbim të marrëveshje për reduktimin e armëve bërthamore.
Në një intervistë dhënë gazetës londineze, The Times dhe gazetës gjermane Bild, të publikuar më 15 janar, Trump ka thënë: “Ata kanë vënë sanksione ndaj Rusisë – të shohim nëse mund të arrijmë disa marrëveshje të mira me Rusinë. Njëra prej tyre, mendoj se armët bërthamore duhet të zvogëlohen dhe reduktohen në mënyrë substanciale”.