Ja çfarë deklarate kanë lëshuar sot rusët kundër Kosovës dhe aletaëve të saj
Edhe në përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Kosovës, Rusia vazhdon që të loboj kundër Kosovës.
Është Maria Vladimirovna Zakharova, drejtoreshë e Departamentit të Informacionit dhe të Shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, e cila gjatë ditës ka lëshuar disa deklarata kundër Kosovës dhe aleatëve të saj.
Maria Vladimirovna Zakharova në rrjetin social “Twitter”, ka shkruar se ka qenë NATO-ja ajo e cila e ka ndarë me forcë ish-Jugosllavinë.
“17 shkurti është 10 vjetori i shtetësisë së ashtuquajtur të Kosovës. Kjo është arsyeja për të rishikuar nga afër rezultatin famëkeq të kursit të mbështetësve të Prishtinës për post- legjitimimin e agresionit të NATO-s në vitin 1999 dhe ndarjen me forcë të Jugosllavisë”, është njëri prej shkrimeve të saj në këtë rrjet social, transmeton “Zeri.info”.
Tutje, Zakharova, ka thënë se perspektiva e Kosovës është e paqartë dhe se pavarësia e saj është një ndarje e njëanshme.
“Ndarja e njëanshme në vitin 2008, në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, nuk e zgjidh çështjen e Kosovës, perspektivat e së cilës mbeten të paqarta. “Bamirësit” e Kosovës e kthyen atë në një vrimë të zezë me një status të diskutueshëm”, ka shkruar zyrtarja ruse, përcjell “Zeri.info”.
Sipas Zakharavovas, NATO-ja është duke shfrytëzuar Kampin Bondsteel për ndikimin e saj në Ballkan.
“NATO përdori kaosin në Kosovë për të ngritur infrastrukturën në territorin e saj nën mbulesën e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, pra bazën ushtarake amerikane të Kampit Bondsteel, me qëllim të projektimit të ndikimit të aleancës në Ballkan dhe manipulimin e proceseve në rajon”, ka shkruar tutje zyrtarja ruse.