Sa interesohen për punë të papunët e Kosovës

03.12.2016 17:04:14
Të papunët në Kosovë jo çdoherë janë të interesuar të punojnë. Prandaj, disa kompani prodhuese në Kosovë po kanë mjaft probleme për gjetjen e punëtorëve.

Radio Evropa e Lirë më herët kishte raportuar se Kompania e verarisë “Stone Castle” në Rahovec, ka probleme të vazhdueshme për gjetjen e punëtorëve për të punuar në vreshtari.

Por, të papunët në Kosovë, përveç vreshtarisë, hezitojnë të punojnë edhe në vjeljen e patateve. Këtë e thotë Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova” në Vushtrri.

“Njerëzit ankohen se nuk ka punë, por e vërteta është se të gjithë ne po kemi problem të sigurojmë punëtorë. Problemin më të madh e kemi me punëtorët sezonalë për vjeljen e patates. Atëherë kur neve na duhen punëtorët, nuk i gjejmë, edhe pse i kanë pagat shumë të mira: 450 euro, dhe dy herë në ditë me ushqim. Unë vetë e kam punuar këtë punë, nuk është punë e vështirë”, tregon Kosumi.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare gjatë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se nga 1.2 milion forcë punëtore, Kosova ka të punësuar vetëm 300 mijë sosh.

Kosova ka nivelin më të lartë të papunësisë në rajon, me 35.5 për qind, pasuar nga Bosnje dhe Hercegovina me 27.5 për qind, Serbia me 18.9 për qind, Mali i Zi me 18.0 për qind dhe Shqipëria me 17.9 për qind.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se mbi 150 mijë është numri i punëkërkuesve të pakualifikuar; mbi 77 mijë i atyre me shkollë të mesme, ndërkaq të kualifikuar janë 22 mijë dhe me arsimim të lartë 6,840 punëkërkues.