Së shpejti pritet vendimi për Selimin, Lushtakun dhe të tjerët

14.09.2016 20:35:43

Gjykata e Apelit ende nuk e ka marrë një vendim për rastin “Drenica II”.

Ky rast kishte përfunduar në maj të këtij viti, ndërsa kryetari i trupit gjykues kishte deklaruar se aktgjykimi nga Apeli pritet në muajin korrik ose gusht.

Njëri nga avokatët e këtij rasti, Tomë Gashi ka thënë për Indeksonline se Apeli ka deklaruar që vendimin ta sjell gjatë muajit shtator.

“Përfundimisht nga Gjykata e Apelit janë deklaruar se vendimi do të sillet gjatë muajit shtator. Ne presim çdo ditë që të njoftohemi në formë të shkruar lidhur me vendimin e Apelit dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Gashi.

 

 

Sipas tij, gjasat janë shumë të mëdha që Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe të tjerët të shpallen të pafajshëm.

“Sido që të jetë gjasat janë shumë të mëdha  nëse ka drejtësi në këtë vend ata të gjithë, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, të shpallen të pafajshëm nga Gjykata e Apelit meqenëse ata janë shpall fajtor pa kurrfarë prove, respektivisht vetëm me provën e një dëshmitari i cili është vërtetuar se ka pasur probleme tepër të rënda psikike dhe asgjë që ai ka thënë nuk është e vërtetë”, ka thënë Gashi