Seancat e jashtëzakonshme, pa efekte

12.01.2017 09:10:03
Seancat e shpeshta të jashtëzakonshme po konsiderohen të kota dhe pa rezultate për shkak se rezolutat e miratuara nuk merren në konsideratë nga Qeveria
Kuvendi i Kosovës gjatë vitit të kaluar ka mbajtur 7 seanca të jashtëzakonshme, ndërsa edhe këtë vit e ka filluar me një seanca të tillë.

Por mbajtja e këtyre seancave konsiderohet e kotë, pasi vazhdimisht devijohen debatet dhe shfrytëzohen për të treguar folklorizmin e deputetëve, kurse rezolutat e miratuara nuk merren parasysh nga Qeveria.

Opozita dhe analistët politikë në vend thonë se fakti që një koalicioni, i cili ka më shumë se dy të tretat e votave, në shumë raste nuk po arrin ta sigurojë as kuorumin dëshmon për nevojën e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka thënë se është e natyrshme që opozita të kërkojë zgjedhje që nga dita që i humb zgjedhjet e fundit, por, sipas tij, koalicioni PDK-LDK po funksionon shumë mirë dhe se nuk ka ndonjë krizë parlamentare apo qeveritare.

Ai më tej ka thënë se koalicioni qeverisës nuk po vepron me inate ndaj opozitës, porse duhet të veprohet në bazë të mundësive reale që ka shteti.

“Nuk ka inate, ka përgjegjësi politike ose mospërgjegjësi politike. Është mirë që të bashkëpunojmë dhe t’i realizojmë çështjet në interes të përgjithshëm, t’i trajtojmë çështjet në përputhje me fuqinë dhe mundësitë tona që i kemi e të mos pretendojmë më shumë sesa që mundemi”, ka deklaruar Haliti.