Sejdiu: Nuk kemi ndryshuar qëndrim

20.06.2017 10:15:24

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Korab Sejdiu, ka hedhur poshtë mundësinë që kjo parti t’i bashkohet koalicionit PDK-AAK-Nisma për formimin e qeverisë.

 

Ai ka thënë se AKR-ja nuk do ta ndryshojë qëndrimin dhe do t’i mbetet besnik koalicionit LDK-Alternativa-Lëvizja për Drejtësi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Sejdiu ka theksuar se kjo parti do të veprojë në koordinim të plotë me koalicionin me të cilin kanë garuar në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Nuk do t’i bashkojmë forcat me ata të cilët e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje”, është shprehur Sejdiu, i cili shpreson në një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje!

Ai ka treguar se, sipas rezultateve preliminare, AKR-ja do t’i ketë së paku katër deputetë por, sipas tij, ky numër pritet të rritet për dy ose tre deputetë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të diasporës.