Sejdiu: Thaçi, Haradinaj dhe Veseli, trojka që po e shkatërron Kosovën

25.12.2017 11:49:06

Deputeti Korab Sejdiu gjatë një interviste ka deklaruar se tre liderët kryesorë të vendit: presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, si dhe kryeparlamentari Veseli, me veprimet e tyre të fundit për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale po e shkatërrojnë Kosovën. Sipas tij, një blof i tillë ishte për ta shpëtuar veten nga Specialja, si dhe për t’i rritur pazaret në prag të arrestimeve të para

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Korab Sejdiu, i cili njëherësh është jurist me profesion, thotë se tentativa e presidentit Hashim Thaçi, e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe e kryeparlamentarit Kadri Veseli për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale ishte për ta shpëtuar veten nga kjo e fundit dhe për t’i rritur, siç thotë ai, pazaret në prag të fillimit të arrestimeve.

Këto komente Sejdiu i ka bërë gjatë një interviste për gazetën Zëri, duke shtuar se të premten u pa qartë një blof i tillë i trojkës (Thaçi, Haradinaj dhe Veseli), që, sipas tij, po e shkatërron Kosovën.

Juristi Sejdiu thotë se në lidhje me iniciativën e fundit nuk bëhet fjalë për një ligj të rëndomtë, por, siç thotë ai, për një përpjekje pak më të madhe në kontekst të votave që nevojiten për ta bërë një ndryshim të tillë, i cili ka edhe implikime kushtetuese dhe një investim shumë të madh nga partnerët ndërkombëtarë, në veçanti nga SHBA-ja dhe BE-ja.

 

“Pra, në rastet si këto kur ne hyjmë në obligime që kanë edhe implikime ndërkombëtare nuk mund pastaj të luajmë me ata të cilët janë pjesë e procesit, sepse, siç edhe po shihet, këtë ata nuk e tolerojnë”, ka pohuar Sejdiu.

Ky i fundit madje është shprehur i gatshëm që ta japë votën e tij pro mocionit për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” nëse opozita punon në këtë drejtim, siç ka deklaruar së fundi…(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Zëri si dhe në versionin Online me parapagim në online.zeri.info)