Sejdiu: Zajednica e demarkacioni kanë vdekur, mbetet vetëm dorëheqja e Mustafës

02.09.2016 14:37:30

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu një ditë pas protestës para Kuvendit të Kosovës dhe tërheqjes së demarkacionit nga rendi i seancës plenare të Kuvendit, ka thënë se një gjë e tillë u arrit vetëm me protestat e djeshme.

Ai gjatë një konference tha se tashmë që “Zajednica” dhe demarkacioni kanë vdekur, ka mbetur vetëm edhe një arsye për të protestuar.

“Mbetet vetëm dorëheqje e Mustafës dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme, e atë qysh sot, dhe jo të zhagitet vendi e republika me tema që i cenojnë interesat e Republikës. Kemi shumë tema të rëndësishme për t’i debatuar dhe Qeveria e ka dëshmuar që nuk e ka zotësinë që t’i trajtojë”, theksoi Sejdiu.

Sipas tij, zgjidhja e vetme për të dal nga kjo gjendje është që kjo qeveri me kryeministrin aktual të ec.

“Zajednica dhe demarkacioni janë të vdekura dhe kanë përfunduar, e ka mbetur vetëm edhe  e treta dhe sa më shpejt të shkojmë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Duhet aktivizim i gjithëmbarshëm qytetarë”, tha tutje Sejdiu.

 

 

Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha se kjo parti ka qenë gjithmonë kritikuese e sistemit të drejtësisë, i cili tashmë sipas saj, veq e dëshmoi se është i ndikuar nga pushteti.

“Të hënën në mëngjes janë arrestuar aktivistët tanë në orët e para të mëngjesit, arrestimi i të cilëve u pa se është bërë vetëm që mos të marrin pjesë në protestën e djeshme. Po ashtu, u arrestuan edhe deputetët e Vetëvendosjes të cilët po përgatiteshin për të kundërshtuar demarkacionin brenda,  derisa jashtë po protestonin qytetarët”, tha Haxhiu.

Ajo tha se sot janë dy deputete e katër aktivistë që po mbahen në mbajtje, derisa tre aktivistë tjerë janë në paraburgim dhe nuk ka asnjë arsye të tillë që ata të mbahen në masa të tilla sigurie.

“I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që mos të bien nën presionin dhe ndikimin e politikave ditore. Bashkimi i të gjithëve për dorëheqjen e qeverisë nuk është vetëm ndryshimi i regjimit, por edhe transformimi i sistemit të drejtësisë”, tha tutje Haxhiu.