Sekuestrohet ish-hotel “Vollga” në Durrës, prona e lakmuar që futi në lojë edhe botën e krimit

07.08.2020 12:08:28

Sekuestrohet ish-hotel Vollga në Durrës. Objekti që nxiti disa konflikte vitet e fundit është sekuestruar nga Agjensia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Buzë detit dhe pranë shëtitores ”Taulantia”, ish Vollga u kthye ndër vite në objekt të lakmuar dhe nxiti konflikte pronësie për shkak të vendndodhjes së tij.

Pronësinë e ish-hotel Vollgës e pati fituar përmes dy akt-dhurimeve Emiljano Shullazi i akuzuar edhe për pastrim parash.

Paraditen e sotme, forca policore kanë mbështetur zbatimin e vendimit të sekuestrimit nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

I lënë në mëshirë të fatit për shkak të historikut të pronësisë së tij që tashmë është çështje e gjyqësorit, godina ishte kthyer në një strehë për refugjatët që vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme për të kaluar ilegalisht drejt Italisë.