Serbia ndalon importin e mishit hungarez për shkak të mortajës, Kosova po blenë ende

29.04.2018 21:47:29

Para disa ditëve Kosova është përfshirë në një skandal të mishit të prishur që për origjinë kishte shtetin belg. Kurse, Serbia është alarmuar për produktet e mishit të Hungarisë, nga ku e ka ndalur importin. Ndërkohë, në Kosovë po vazhdon të hyjë mish nga Hungaria.

Serbia ka marrë vendim që ta ndalojë importin dhe transportin nëpër territorin e saj të të gjitha dërgesave të ushqimit me origjinë shtazore nga Hungaria, në mënyrë që ta parandalojë përhapjen e mortajës afrikane e cila tashmë është shfaqur në shtetin hungarez.

Për rastin e parë të mortajës së derrit Hungaria e ka lajmëruar Serbinë, e cila tashmë ka marrë masa drastike duke e ndaluar importin e të gjitha dërgesave ushqimore me origjinë shtazore nga ky shtet.

Por, afër 200 mijë kg mish i pulës është importuar nga Hungaria në Kosovë për tre muaj, janar -31 mars 2018. Ndërkohë, ende nuk dihet nëse edhe autoritet kosovare do të ndërmarrin një vendim të tillë.

Zyrtarët e Agjencisë së Ushqim dhe Veterinës kanë qenë të pa kontaktueshëm.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës të dërguar për lajmi.net, është bërë e ditur se Kosova nga Hungaria importon vetëm mish të pulës.

Sipas të dhënave të Doganës në këto tre muaj janë importuar dy kategori të mishit të pulës nga Hungaria, “mishi i pulës, prerje pa kocka, të ngrira” janë importuar 163, 464.00 kg, ose e përkthyer në vlerë monetare, fiks 81, 779.92 euro. “Të tjera të brendshme prej pulës, të ngrira”, janë importuar 20, 965.00 kg, në vlerë prej 8, 208.80 euro.

Në vitin e kaluar nga Hungaria janë importuar, pula të therura dhe të pastruara (65 për qind të ngrira), 4, 225.76 kg. Mish i pulës, prerje pa kocka, të ngrira 472, 509.20 kg. Krahë të pulës, të plota, me apo pa majte, të ngrira 5, 268.48 kg. Pjesë tjera të pulës (shpina, qafë, shpina më qafë bashkë, majat e krahëve dhe bishtat) 6, 240.00 kg. Gjoks prej pulës dhe prerje prej tyre, të ngrira 19, 575.10 kg, dhe të tjera të brendshme prej pulës, të ngrira 84,000.00 kg.

Në tre muajt e parë të e këtij viti, në Kosovë kanë hyrë 7, 074, 930.39 kg mish të të gjitha llojeve, në vlerë prej 8, 818, 119.00 euro. Ndërkohë, ky mish u importua nga Serbia, SHBA, Ukraina, Turqia, Sllovenia, Polonia, Holanda, Italia, Brazili, Bullgaria, Belgjika, etj.

Ndryshe, mediet në Serbi raportuan dje se, për rastin e parë të mortajës së derrit Hungaria e ka lajmëruar Serbinë, e cila tashmë ka marrë masa drastike duke e ndaluar importin e të gjitha dërgesave ushqimore me me origjinë shtazore nga ky shtet.

“Në periudhën e ardhshme do të merren më shumë masa që parashihen me ligj nga të cilat aktualisht është ajo e kontrollit të plotë të importit të ushqimit me origjinë shtazore nga Hungaria” kanë thënë në Ministrinë e Bujqësisë.

Inspeksioni veterinar po ashtu do të shtojë kontrollin në të gjitha vendet e shitjes së këtij lloji të ushqimit, thonë autoritetet serbe.

“Me këtë rast u bëjmë thirrje konsumatorëve që të mos blejnë ushqim me origjinë shtazore në vendet që nuk kanë të mbikëqyrura në mënyrë të përhershme nga insepsksioni” ka thënë kjo ministri.