Serbia nuk po e do normalizimin me Kosovën

28.12.2016 09:33:20

Njohësi i rrethanave politike në vend, Belul Beqaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Isa Mustafa të mos i zbatojë ultimatumet e fundit të Qeverisë së Serbisë në lidhje me zëvendësimet e ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës.

Ai ka thënë se nëse kryeministri i vendit u bindet këtyre ultimatumeve, atëherë ai duhet të shkarkohet.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Beqaj ka thënë se këto mesazhe të Qeverisë serbe tregojnë se Beogradi nuk dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Ultimatumi i Vuçiqit paraqet mesazh të qartë se Serbia nuk dëshiron normalizimin e raporteve me Kosovën. Këso mesazhe nuk ka dërguar as Millosheviqi kur ka qenë Kosova në kuadër të RSFJ-së. Nëse eventualisht ultimatumi i tillë merret parasysh nga kryeministri Kosovës, atëherë mendoj se kryeministri urgjentisht duhet të shkarkohet. Nëse kthehet ministri i shkarkuar, do të thotë se me Kosovën qeverisë edhe publikisht kryeministri i Serbisë!”, ka thënë Beqaj.

Ai ka bërë me dije se edhe paralajmërimet se ata do të fillojnë vetë ta formojnë asociacionin e komunave me shumicë serbe tregojnë për synimet që Serbia ka ndaj Kosovës.

Sipas Beqajt, ky është një moment i mirë i rishikimit dhe rivlerësimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në Bruksel.

“Kjo tregon çfarë janë pretendimet e mirëfillta të Serbisë. Ajo synon që brenda shtetit të Kosovës ta krijojë shtetin marionetë të Serbisë. Në fakt, ky është moment i rishikimit dhe rivlerësimit të të gjitha marrëveshjeve të deritanishme. Meqë kjo kërkesë është paralajmërim që bie në dyshim të gjitha të arriturat e deritanishme, pavarësisht se ato ishin të kufizuara.

Në anën tjetër, mund të jetë uverturë me dimensione të paparashikueshme”, është shprehur Beqaj.

Politologu Beqaj në këtë intervistë ka folur edhe për punën e koalicionit qeverisës dhe të partive opozitare përgjatë këtij viti.

Ai ka thënë se suksesi më i madh i qeverisë ka qenë dinakëria e mbijetesës. Kurse sipas tij, opozita nuk ka pasur sukses ta fitojë besimin e duhur të qytetarëve për ndryshime kualitative.

“Kjo Qeveri është krijuar me mashtrime, po mbahet me mashtrime dhe ka mbijetuar me mashtrime, në sajë të opozitës e cila nuk pati sukses ta fitojë besimin e duhur të qytetarëve të Kosovës për ndryshime kualitative. Suksesi më i madh i kësaj Qeveria është dinakëria e mbijetesës, pavarësisht se qytetarët e kanë humbur shpresën se do të bëhet më mirë”, ka deklaruar Beqaj.