Serena vs Venus, motrat Williams në finalen e Australia Open

26.01.2017 10:28:30

Serena dhe Venus Williams do të luajnë në finalen e grand slemit të Australia Open për femra në tenis. Një finale mes dy motrave Williams që mungonte prej vitesh, duke konfirmuar se pavarësisht moshës ato janë ende ikona të këtij sporti. E para që preu një biletë për në finale ishte Venus, që mundi me vështirësi patrioten e saj Coco Vandeweghe 2-1 (6-7, 6-2, 6-3). Një derbi amerikan, me Vandeweghe që e nisi mirë ndeshjen, duke surprizuar veteranen Venus dhe fituar në “tie berak” 7-6 setin e parë. Por më pas është motra e madhe Williams që ka komandën e lojës, tregon gjithë klasin e saj për të përmbysur shifrat dhe fituar me lehtësi 6-2, 6-3 dy setet e tjera.

Më e lehtë fitorja e Serenës, që mundi brenda 50 minutash kroaten Mirjana Lucic-Baroni me shifrat 2-0 (6-2, 6-1). Një ndeshje që nuk pati histori, me motrën e vogël Williams që pati epërsi të padiskutueshme, duke i dhënë një leksion të mirë kroates, e pafuqishme për të përballuar ritmin e diktuar nga rivalja amerikane. Një finale mes dy motrave amerikane, që do të çojnë në shtëpi një tjetër trofe, por natyrisht që Serena është favorite ndaj Venus. Gjithsesi, shpesh ndeshjet mes tyre kanë treguar se faktori “favorit” nuk ka ndihmuar shumë, pasi ato janë dy motra-rivale që ia dinë mjaft mirë huqet njëra-tjetrës, ndaj sfida e së shtunës do të jetë një spektakël.