Sërgjan Kerim bën thirrje për një marrëveshje të re për strehimin e refugjatëve në botë

14.09.2016 12:15:43

Srgjan Kerim, kandidati maqedonas për sekretar të përgjithshëm të OKB-së, që është vendosur lartë në listën e votimit të deritanishëm, ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshje të re për refugjatët.

Kjo marrëveshje duhet të arrihet në mes të vendeve ku refugjatët fillimisht kërkojnë strehim dhe vendeve që janë destinacioni kryesor i tyre.

Në kolumnën e tij për ”The Huffington Post”, Kerim bën thirrje që të shfrytëzohet Asambleja e përgjithshme e OKB-së për t’u arritur një marrëveshje e këtillë në mes të Turqisë, Libanit, Jordanisë dhe Kenisë, ku janë vendosur më së shumëti refugjatë në botë, me vendet e Evropës, Amerikës veriore dhe Azisë, ku refugjatët kërkojnë strehim të përhershëm.

Sipas tij, liderët botërorë duhet që të udhëhiqen nga disa parime për t’iu qasur krizës së refugjatëve, përfshirë edhe obligimin për t’i dhënë përparësi mbrojtjes së jetëve të personave në rrezik.

Kerim thekson se OKB-ja është krijuar pikërisht për këtë qëllim, pra t’i zgjidh problemet globale. Kolumnën e tij e gjeni këtu.