Sërish lirohen nga akuza për korrupsion ish-menaxheri i Zyrës së Prokurimit në Pejë

05.04.2018 17:25:38
Gjykata Themelore në Pejë, për herë të tretë, e ka liruar nga akuza për shpërdorim të detyrës zyrtare, ish-menaxherin e Zyrës së Prokurimit në Pejë, Xhemë Berisha.

Kjo gjykatë, gjithashtu ka shpallur aktgjykim lirues edhe ndaj biznesmenit Kujtim Selmanaj, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim të autorizimit në ekonomi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Kreshnik Radoniqi, nuk është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarve ekzistonin elementet e  kryerjes se veprës penale.

Më 25 prill 2016 dhe 16 janar 2017, Gjykata Themelore në Pejë, dy të akuzuarit, Xhemë Berisha dhe Kujtim Selmanaj, i kishte liruar nga akuzat, me arsyetimin se nuk është vërtetuar se ata kanë kryer veprimet e kundërligjshme për veprat penale “shpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”. Ndërkaq, për veprën penale “cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”, kishte arritur parashkrimi absolut.

Më 18 maj 2017, Gjykata e Apelit, për herë të dytë e kishte kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje me arsyetimin se gjendja faktike nuk është vërtetuar mirë nga gjykata e shkallës së parë.

Paraprakisht në seancën e së enjtes, palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare në këtë rast.

Prokurorja Sahide Gashi, në fjalën përfundimtare, ka deklaruar se prokuroria konsideron se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen, e gjithashtu ka kërkuar dënimin e tyre.

“Për të akuzuarin Xhemë Berisha, gjykatës i propozoj që t’i shqiptohet edhe dënimin plotësues, ndërsa për të akuzuarin Kujtim Selmanaj, të obligohet që të kthej shumën e përfituar”, ka thënë prokurorja Gashi.

Fjalën përfundimtare të prokurores e ka përkrahur edhe përfaqësuesja e Komunës së Pejës, avokatja, Drita Sopi–Gashi.

Ndërsa, avokati Bujar Bërdynaj, mbrojtës i të akuzuarit Xhemë Berisha dhe avokati Arnis Dumani, mbrojtës i dytë i të akuzuarit Kujtim Selmanaj, në fjalën përfundimtare, kanë kërkuar lirimin e klientëve të tyre, me arsyetimin se edhe këtë herë prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se të akuzuarit kanë kryer veprime inkriminuese.

Ky shqyrtim gjyqësor, zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, me pretendimin se i akuzuari Xhemë Berisha, në cilësinë e menaxherit të Prokurimit në Komunën e Pejës, nuk e ka përmbushur detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, Berisha duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, gjatë ekzekutimit të kontratës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të administratës komunale, institucioneve shëndetësore, arsimore dhe kulturore, edhe pse firma NTSH “Network” nuk i ka përmbushur obligimet e marra në kontratë për pagesën e obligimeve tatimore, me ç’rast ATK-ja ia bllokon xhirollogarinë, i njëjti e ndërron emrin në “Selmans Network” dhe hap xhirollogari të re.

Me këtë rast, i pandehuri në vend se ta shkëpusë kontratën, urdhëron thesarin që të vazhdojë pagesën, tani me emër të ri në shumën prej 106.609,53 euro.

Ndërkaq, i pandehuri Kujtim Selmanaj prej datës 16 mars 2012 deri më 25 maj 2012, me qëllim të realizimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për subjektin e tij afarist NTSH “Network”, nuk i ka kryer obligimet tatimore të përcaktuara me ligj në shumën prej 99.289,33 euro.

Sipas aktakuzës, më 1 shkurt 2012, me vetëdije nuk e ka zbatuar Ligjin e Punës dhe ka shkelur kontratën e lidhur me KK Pejë, në atë mënyrë që nuk i ka paguar shumicën e pagave të punësuarve dhe pagesat në Trustin Pensional të Kosovës.