Sërish reshje bore, nga mesi i javës mot më stabil

15.01.2019 09:52:53

Sot do të mbajë mot i ftohtë dhe pjesërisht i vranët. Pasdite dhe në mbrëmje priten reshje lokale bore, ndërkaq nga e mërkura pritet mot më stabil.

Vorbulla dytësore e ciklonit që shtrihet mbi Skandinavi e gjatë ditëve të para të javës do të depërtojë mbi vendin tonë, ndërkohë masa të ftohta ajrore nga veriu i kontinentit do të shtrihen mbi rajon, që do të sjellin kushte për reshje të reja të borës.

Nga mesi i javës fusha të presionit të lartë nga Evropa perëndimore do të fillojnë të shtrihen mbi rajon, duke kushtëzuar mot më stabil dhe me kthjellime, ndërkohë që masa të ngrohta ajrore që vijnë nga Mesdheu do të rrisin temperaturat maksimale mbi 0C.

Me afrimin e vorbullës ciklonike mbi vendin tonë, kohë pas kohe do të ketë qarkullim të mjaftueshëm ajror që do të ndikojë në uljen e vlerave të indeksit të kualitetit të ajrit në vlera normale, mirëpo gjatë orëve të mbrëmjes mund të rriten në vlera të pashëndetshme.

Temperaturat e ajrit vazhdojnë të mbeten nën vlera mesatare, e nga dita e mërkurë maksimalet do të shënojnë rritje mbi 0C. Minimalet do të luhaten nga -8C deri në -5C, e maksimalet nga -1C deri në +3C.

Do të fryj erë mesatare nga jugperëndimi dhe veriperëndimi 4-11m/s. Shtypja atmosferike, do të pësojë rënie nën vlera normale, e nga dita e mërkurë do të shënojë rritje.