SHBA vulos 30 qershorin: Refuzoni dhunën! Basha-Kryemadhi, po ju vëzhgojmë!

28.06.2019 20:15:42

Ambasada amerikane ka rikonfirmuar mbështetjen ndaj qeverisë për zgjedhjet e 30 qershorit, duke rrëzuar kështu dekretin e presidentin që caktoi 13 tetorin si datën e re të zgjedhjeve.

Përmes një deklarate zyrtare, SHBA i bën thirrje opozitës të mos pengojë votuesit, ndërsa thekson se “do i vëzhgojë veprimet e tyre”.

Reagimi i Ambasadës Amerikane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente. Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar.

Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit.  Shtetet e Bashkuara do të kenë ekipe vëzhguesish në qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit në mbarë Shqipërinë. Ne do të mbështetemi në raportin e OSBE/ODIHR-it për të vlerësuar rregullsinë e votimit.

Ne nxisim udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit, përfshirë edhe ecjen përpara me ngritjen e një Gjykate Kushtetuese të drejtuar nga gjykatës të cilët e kanë kaluar vetingun. Miratimi i reformave zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe për ngritjen e demokracisë së fortë që i shërben të gjithë shqiptarëve.