Shërohen edhe 10 pacientë me COVID-19, shkon në 138 numri i përgjithshëm

22.04.2020 22:47:08

Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se edhe 10 persona të infektuar me coronavirus në Kosovë janë shëruar plotësisht.

Me këto 10 raste, numri total i të shëruarve në Kosovë shkon në 138.

Ndërkohë, për krahasim nga dita e djeshme kur numri i të infektuarve ishte vetëm gjashtë, sot janë konfirmuar 26 raste të reja duke çuar numrin total të të infektuarve në 630.

Vlen të theksohet se kryeqyteti sonte nuk ka ka shënuar asnjë rast me coronavirus, gjersa të gjitha rastet e konfirmuara janë raste kontakti. Po ashtu asnjë rast nuk është shënuar as në Malishevë, për ditën e shtatë me radhë.

Numri i viktimave nga coronavirusi në Kosovë është 18, mes tyre edhe një grua shtatzënë.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton coronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.