Shkelet marrëveshja, nuk përfillet kërkesa për autobusët 9 dhe 19 në Shkup

15.02.2017 21:46:48

Drejtuesit e Bashkisë së Shkupit nuk e respektojnë marrëveshjen e arritur paraprake me këshilltarët shqiptarë, ku sipas bisedave dhe takimeve të realizuar mes Idriz Oranës dhe Qemal Musliut me kryetarin Koce Trajanovski, janë dakorduar që transporti publik i autobusëve në linjat me numër 9 dhe 19 të mbulohet 50 për qind nga transportuesit privat dhe 50 për qind nga transportuesit publik, shkruan gazeta Koha. Shkeljen e marrëveshjes e ka zbuluar koordinatori i grupit të këshilltarëve të PDSH-së, në Këshillin e Bashkisë së Shkupit, Idriz Orana, i cili pas pranimit të materialeve për rendin e ditës së seancës që pritet të mbahet nesër (16 shkurt), ka konstatuar së propozimi për rikthimin e autobusëve publike me numër 9 dhe 19, nuk është i njëjtë me kërkesat të cilat ata paraprakisht i kanë parashtruar.

“Gjatë periudhës së kaluar kemi zhvilluar një sërë takimesh me krerët e Qytetit të Shkupit lidhur me problemin e ndërprerjes së linjave publike në linjat e autobusëve 9 dhe 19. Lëshimet që janë bërë me vendimin e sjellur në dhjetor të vitit të kaluar i vërtetoi edhe vetë Këshilli i Qytetit. Megjithatë, pas një hulumtimi dhe analizë të propozimit që na është dorëzuar për t’u votuar në seancën e ardhshme, kam vërejtur se janë bërë ndryshime sa i përket kërkesave dhe propozimeve tona për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi”, ka deklaruar Idriz Orana, këshilltar në Bashkinë e Shkupit.

“Lidhur me këtë çështje kemi kërkuar takim me kreun e Shkupit, Koce Trajanovski, ku do të bisedojmë se pse nuk është respektuar marrëveshja paraprake dhe njëherësh do të kërkojmë që e njëjta të përmirësohet para mbajtjes së seancës me 16 shkurt. Ndërsa, në rast se këto kërkesa tona nuk pranohen, unë bashkërisht me strukturat tjera të partisë do të sjellim vendim se a do ta votojmë propozimin aktual, në të cilin nuk parashihet mbulimi 50-50 i transportit publik në linjat e autobusëve me numër 9 dhe 19”, tha Qemal Musliu, këshilltar në Bashkinë e Shkupit.