Shkëmbimi alla Thaçi&Vuçiq&Rama, ia qet flakën Ballkanit!

16.08.2018 21:04:57

Nga: Fadil Maloku

1. Ta sqaroj që në fillim; Jam pro “korrigjimit” të kufijve, por, NËSE, ky parim vlen për gjithë popujt (serbët, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët) e ndarë padrejtësisht gjatë historisë së qenësimit të Ballkanit Perëndimor. 2. Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2007 në (cilësinë e drejtorit të Institutit për Demokraci dhe Relacione Etnike) takim të ekspertëve të rajonit, në Sava Centar, para një auditoriumi kogja të gjerë mediatik, e pata hedhur idenë;”e një marrëveshjeje historike trepalëshe mes tre popujve më të mëdhenj në Ballkan; Shqipërisë dhe Maqedonisë, (që ka një minoritet të madh etnik shqiptarësh); Kroacisë, Bosnjës, (që ka një pakicë të konsiderueshme kroatësh etnikë); dhe Kosovës e Serbisë, shkaku se te të dyja anët ka minoritete. 3. Në gjithë këtë Projekt “korrigjimesh” dhe kalkulimesh milimetrike, para se të integrohemi si shtete të pavarura të Ballkanit Perëndimor, propozova që garantë të bëhen Kombet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara. 4. Ideja ishte që “ndërtesa e ftohët”, e identifikuar atëbotë si BE-ne, kur të hyjmë si pako shtete, ne “fiset ballkanase” të mos të kenë më telashe, e aq më pak vërejtje korrigjuese, me proceset dhe nevojat e reja integruese. Nëse vërtetë ka nevojë për hir të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, të korrigjohen atëherë edhe kufijtë, në ; Maqedoni, Bosnjë, Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Slloveni e Shqipëri. Po përse jo! 5. Paraprakisht nën ombrellën e Brukselit, Uashingtonit, Moskës, e pse jo edhe Pekinit, le të hapet “kutia e Pandorës” dhe le ta bëjmë këtë me marrëveshje paqësore. Le të mbahet një Dejton i ri, ku njëherë e përgjithmonë, stereotipet për “fiset e egra” ballkanike të shkrihen! 6. Ama e drejta e “korrigjimit” përse të mos të vlejë edhe; shqiptarët e Maqedonisë (që më së shumti kanë nevojë të bashkohen me trungun…), kur dihet historikisht, gjeografikisht, demografikisht e politikisht, si argumentet ashtu edhe rrethanat sociale, etj janë në favor të një marrëveshje historike midis tre popujve më kompetent për paqen dhe sigurinë e Ballkanit; serbëve, kroatëve dhe shqiptarëve 7. Shkëmbimi (alias, copëtimi) alla trojkës; Thaçi&Vuçiq&Rama, ku në këmbim të ca fshatrave minore të Preshevës (Ju lutem, këtu as që hyjnë; Medvegja dhe Bujanovci, qysh po mendon edhe; atipisti Lutfi Haziri!), të jepen; katër komuna kosovare (në fakt; liqeni i Ujmanit dhe Trepça), është shumë i rrezikshëm, dhe i pa parashikueshëm për dekadat e ardhshme. Në fakt, ia qet flakën Ballkanit..