Shoqata e sigurimeve të Kosovës është shprehur e pakënaqur me rritjen e lejuar nga BQK-ja për tarifat e sigurimeve për automjete.
Në komunikatë nuk sqarohet se për çfarë rritjeje bëhet fjalë, pasi të kalkulohet shkalla e inflacionit. Por, sipas përllogaritjeve del se rritja e tarifave për këtë sigurim është afro 30 për qind. Por, Shoqata e Sigurimeve nuk është e kënaqur me këtë rritje. Në një komunikatë për media, Shoqata e sigurimeve konsideron se BQK nuk e ka trajtuar në mënyrë reale gjendjen aktuale nëpër të cilën po kalon industria e sigurimeve.
“Ne vlerësojmë se raporti i aktuarit ka vërtetuar në mënyrë të saktë matematiko-shkencore se ndryshimi i tarifave në shkallë prej 36,56% është mëse i domosdoshëm për të evituar kolapsin e industrisë së sigurimeve, për shkak se i gjithë opininoni i gjerë është dëshmitar i numrit të madh të aksidenteve të komunikacionit dhe rrezikimit të jetës dhe pasurisë së qytetarëve. Një numër i madh i këtyre aksidenteve është me fatalitet ku shumë njerëz fatkeqësisht humbin jetën në këto aksidente. Në këto raste janë kompanitë e sigurimeve ato të cilat sipas ligjit janë të vetmet që e kanë përgjegjësinë për zhdëmtimin dhe kompenzimin dëmeve materiale dhe jomateriale dhe zbutjes së dhimbjeve të qytetarëve e sidomos familjeve të viktimave”, thuhet në komunikatën e Shoqatës së sigurimeve.
Sipas kësaj shoqate, me aprovimin e raportit të aktuarit, Rregullatori do të zbatonte ligjin për BQK-në, duke mbajtur stabilitetin financiar të vendit tonë në evitimin e kolapsit të një industrie shumë të rëndësishme.
“Me mos aprovimin e kërkesës së tarifave, BQK nuk ka marr për bazë interesin në rend të parë të policmbajtësve. Kjo bazuar se raporti i aktuarit ka treguar dhe shtjelluar nevojën urgjente për veprim duke ndryshuar tarifat aktuale. Duke qenë se industria e sigurimeve është nën mbikqyrje të BQK-së si rregullator, dhe duke u bazuar në vendimet e rregullatorit normalisht se do të jemi detyruar t’i zbatojmë vendimet e tyre, mirëpo gjithnjë do të kërkojmë që ndryshimi i tarifave ta ketë trajtimin e vet bazuar në raportet aktuaristike të cilat përcaktojnë tarifën e duhur për rrezikun që e marrin”, thuhet tutje në komunikatë.