Shoqëria civile kërkon “vija të kuqe” në Rezolutën e re për dialogun me Serbinë

09.11.2017 16:55:04

Shoqëria civile po kërkon që në Rezolutën e re që duhet ta nxjerr Kuvendi për fazën tjetër të dialogut, të specifikohen qartë përgjegjësitë e secilit institucion në procesin e dialogut me Serbinë.

Madje, në këtë Rezolutë të cilën e quajnë të domosdoshme, duhet të ketë edhe vija të kuqe përtej të cilave nuk mund të kalojë askush që përfshihet në procesin e dialogut.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, e quan të vonuar miratimin e një Rezolute nga ana e Kuvendit, por se edhe tash është e domosdoshme që të përcaktojë qartë përgjegjësitë si të Kuvendit, Presidencës, Qeverisë dhe secilit që merr pjesë në dialog.

Ai për KosovaPress, thotë se pika e parë që duhet të jetë në Rezolutë, është informimi i Kuvendit para arritjes të secilës marrëveshje dhe marrjen e miratimit të shumicës në Kuvend.

Por, përveç raportimit në Kuvend pas secilit raund të dialogut, Demhasaj thotë se rezoluta duhet të ketë edhe vija të kuqe përtej të cilave nuk guxon askush të dalë dhe të arrijë marrëveshje në këtë proces.

“Normalisht që kjo Rezolutë duhet të ketë edhe disa kushte ndoshta ose disa parime përtej të cilave nuk guxoj të shkoj askush, as presidenti, as Qeveria, as anëtarët tjerë negociator që mund të jenë pjesë e ekipit negociator”.

Edhe përfaqësuesit e partive politike e shohin të domosdoshëm sqarimin e pozicionit të secilit institucion në procesin e dialogut.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha për KosovaPress, se Kuvendi patjetër duhet të nxjerrë një rezolutë para nisjes së fazës së re të dialogut, me qëllim të përcaktimit të rrugës së Kosovës në këtë proces.

Madje ai kërkon që kjo rezolutë të artikuloj qartë dëmet dhe përfitimet që i ka sjellë ky proces Kosovës dhe ekzaminimin e marrëveshjeve të arritura.

Deputeti i LDK-së, thekson se nuk mund ta lenë këtë proces në errësirë dhe me shumë paqartësi sepse më pas po del se disa nga vendimet as që i kanë parë.

Mirëpo, sipas tij, nuk guxojnë që këtë barrë të madhe t’ia lënë tekeve qoftë të presidentit, qoftë të një kryeministri apo dikujt tjetër.

Rreth hetimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani, Selmanaj thotë se së pari duhet të ulen partitë dhe politikisht të merren vesh për modalitetet, se a duhet të ketë hetim të tërësishëm apo për ndonjë marrëveshje të veçantë apo si.

Por, Demhasaj thotë se nuk mund të ndodh hetimi dhe shfuqizimi i marrëveshjeve të arritura, sepse ato tashmë janë arritur me ndërmjetësimin e Brukselit dhe kushdo që tenton t’i shfuqizoj ato, do të përballet me kundërshtimin e Brukselit.

Madje, sipas tij, shfuqizimi i tyre do të mund të kishte dëme në liberalizimin e vizave dhe rrugën integruese të Kosovës.

Kërkesa për nxjerrjen e një rezolutë re nga Kuvendi për fazën tjetër të dialogut, doli pas takimit të Komisionit për Punë të Jashtme bashkë me KDI-në dhe kryetarët e të gjitha komisioneve ku u diskutua koordinimi mes komisioneve për procesin e dialogut.