Shoqëria civile paralajmëron skenarët e rinj për fazën e re të dialogut

23.03.2018 14:56:20

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot tryezën “Çfarë presim nga faza e re e dialogut Kosovë-Serbi”, në një diskutim të përfaqësuesve të shoqërisë civile rreth të ardhmes së këtij procesi.
Me këtë rast është prezantuar edhe një analizë me temë “Dialogu Kosovë-Serbi: sfidat dhe rruga përpara”, dokument i cili ofron një përmbledhje të procesit shtatë vjeçar të dialogut duke propozuar parimet mbi të cilat duhet të ec përpara ky proces.

Në hapje të diskutimit, Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së ka theksuar se tash e dy vite KDI ka ofruar asistencë për Kuvendin e Kosovës në temat që lidhen për dialogun Kosovë-Serbi. Kryeziu ka shtuar se tash kur procesi i dialogut po hyn në fazën e re, e cila po thuhet të jetë përfundimtare, presidenti por edhe kryetari i Kuvendit kanë theksuar nevojën për një konsensus të brendshëm politik dhe krijmin e një platformë të përbashkët. “Sot, jemi mbledhur këtu për të marrë këndveshtrimin e shoqërisë civile për këtë proces, dhe të ardhmen e tij”, plotësoi ai.

Ndërsa Jeta Krasniqi, nga KDI, prezantoi analizën dhe rekomandimet e KDI-së. Ajo theksoi se punimi sjell një përmbledhje të të gjithe procesit të dialogut dhe identifikon të gjitha karakteristikat e tij.

Shkelzen Maliqi, analist politik, ka theksuar ndër të tjera se pako e Ahtisarit duhet të jetë vija e kuqe për Kosovën. “Të gjithë problemet kanë dal si pasojë e tentimit për ta tejkaluar këtë pako”, ka thënë ai. Po ashtu ka potencuar se dialogu ka pasur edhe rezultate pozitive të rëndësishme për jetën e qytetarëve si lëvizja e lirë.

Kurse publicisti, Baton Haxhiu, ka thënë se Serbia kërkon këmbim territorial, kontrollimin e serbëve në Kosovë përmes Listës serbe si dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare pa njohje të ndersjellë. “Një cështje që është në tavolinë, është normalizimi pa njohje të ndërsjellë në të cilën Serbia e njeh juridiksionin e Kosovës por nuk e njeh atë formalisht si shtet, model ky i dy Gjermanive të vitit 1972”, njoftoi ai.
Haxhiu shtoi se pritjet e palës kosovare janë se një marrëveshje e tillë mjafton për t’i hapur rrugë Kosovës për antërësim në OKB dhe akoma mbetet e paqartë se cfarë do të ofroj Kosova si kompenzim. Njëkohësisht shtoi se evropianët kërkojnë një autonomi për serbët e veriut me të drejtë vetëvendosje pas 99 vjetëve.

Imer Mushkolaj, analist politik, ka thënë se dialogu ka qenë jo shumë i strukturuar, jo transparent dhe nuk është zhvilluar mbi parimin e reciprocitetit. Ai ka theksuar se jemi në situatë ku kemi arritur disa marrëvsheje dhe se rezultati nuk është krejtësisht negativ. “Por Kosova dhe Serbia nuk kanë dialogua ende për çështje të rëndëishme duke filluar nga fati i të pagjeturve dhe dëmet e luftës, gjëra që janë të rëndësishme të diskutohen para se të nënshkruhet dokumenti final”, ka shtuar Mushkolaj.

Dusan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës avokuese për kulturë demokratike (ACDC), ka thënë se në dialog nuk ka fitues dhe se ky proces është kompromis i madh. Ai ka shtuar se rezultatet e dialogut i prekin të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe ka vlerësuar se ka nevojë të punohen në një dialog ndëretnik për tema dhe probleme lokale që do të mund të zgjidheshin bashkërisht nga të gjitha palët.
Në kuadër të analizës së prezantuar KDI, ka propozuar parimet bazë për platformën e dialogut si më poshtë:

Ekipi negociues: Ndërtimi i një ekipi gjithpërfshirës politik i cili udhëheq bisedimet e dialogut Kosovë-Serbi i mbështetur nga një ekip ekspertësh në bazë të temave/fushave të cilat do të adresohen në kuadër të këtij procesi.
Konsensus politik: Procesi i dialogut kërkon vigjilencë dhe përfshirje të gjerë politike. Andaj duhet të inicohen diskutime të liderëve politik lidhur me formatin, temat e dialogut si dhe epilogun i këtij procesi, me qëllim arritjen e një konsensusi të gjerë politik.
Transparenca: Dialogu duhet të ofroj transparencë për qytetarët duke artikuluar marrëveshjet e arritura dhe efektet që këto marrëveshje do të kenë në jetën e tyre. Takimet informuese dhe konsultative me qytetarë dhe shoqërinë civile duhet të jenë të vazhdueshme përgjatë gjithë procesit.
Roli i Kuvendit: Kuvendi duhet të ketë rolin e tij të pakontestuar e aktiv, duke i dhënë legjitimitet dhe legalitet bisedimeve të Brukselit. Kuvendi duhet të ushtroj rolin e tij mbikqyrës mbi të gjithë procesin negociator përfshirë këtu raportime të rregullta nga ekipi negociator para dhe pas arritjes së marrëveshjeve dhe konsultimin e komisioneve përkatëse.
Temat: Temat të cilat duhet të diskutohen në kuadër të fazës së re të dialogut dhe të përfshihen në që ndërlidhen me ballafaqimin me të kaluarën, suksesionin dhe shpërbërjen e strukturave paralele në Kosovë.
Reciprocitetit: Pala kosovare duhet të aplikoj parimin e reciprocitet përgjatë gjithë procesit të dialogut.
Vijat e kuqe: Marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi nuk duhet të cenojnë rregullimin shtetëror të shtetit unitar të Kosovës, nuk duhet të cenojnë integritetit e saj territoral dhe përfaqësimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në arenën ndërkombëtare. Plani i Ahtisaarit është kompromisi i vetëm dhe i panegociushëm në dialog.
Epilogu: Njohja e Kosovës nga i shteti i Serbisë, anëtarësimi i Kosovës si shtet me të drejta të barabarta në OKB.
Anëtarësim në OKB: BE duhet të jetë sponorizuese e një Rezolute të re në kuadër të OKB-së e mbështetur nga SHBA-të. Kjo Rezolutë e re në OKB e cila i hap derën Kosovës për anëtarësim si shtet më të drejta të plota duke zhvlerësuar Rezolutën e OKB-së Nr. 1244.
Zbatimi i marrëveshjeve: Etapa e re e dialogut, duhet të evitojë gabimet e së shkuarës duke përcaktuar qartë afatet kohore, mekanizmat zbatuese të marrëveshjeve, dhe masat ndëshkuese nga BE për palët që nuk i zbatojnë ato, duke e ndërlidhur këtë proces me avansimin e palëve drejtë BE-së.
Lobimi: Shteti i Kosovës duhet krijoj një mekanzim shtetëror të lobimit për mbështetjen e platformës së saj shtetërore të dialogut me kryeqendrat evropiane dhe SHBA-të. Ky lobim duhet të vazhdoj dhe më tej për arritjen e njohjeve të reja, në veçanti me 5 shtetet jo njohëse të BE-së si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.