Shpejtim Bulliqi: Ish-komisioni caktoi një vijë të re kufitare me Malin e Zi

04.12.2017 10:45:07
 Kryesuesi i Komisionit për Shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi ka thënë se puna e ish-komisionit ka qenë me të meta thelbësore që kanë determinuar me këto përfundime.

Sipas tij, ky komision ka tejkaluar kompetencat e tij duke e përcaktuar një vijë të re kufitare pa një marrëveshje paraprake.

“Nga të dhënat vihet në përfundim dhe konstatohet se nuk ju është kushtuar vëmendje hartave të mëhershme edhe pse të njëjtat e kanë pasur të kufizuar vijën administrative. Vija e caktuar kufitare me Malin e Zi më 26 gusht 2015 nuk është e saktë”, ka thënë Bulliqi.

Bulliqi ka shtuar se Komisioni i udhëhequr nga ai, ka konstatuar se vija kufitare në marrëveshjen për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk është në përputhje me vijën administrative të ish-Krahinës Autonome të ish-Jugosllavisë.