Shpejtim Bulliqi tregon kur do të dalin me raport për vijën kufitare me Malin e Zi

26.10.2017 18:59:06

Ndonëse, demarkacioni është bërë problemi kyç që Kosovës nuk po i liberalizohen vizat, Komisioni Shtetëror për Shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, është duke vazhduar matjet dhe angazhimin që shumë shpejt të dorëzojë raportin final të kryeministri Haradinaj.

Ende nuk dihet datë konkrete për finalizimin e gjithë kësaj çështjeje të zhurmshme, por kryetari i Komisionit për demarkacion, Shpejtim Bulliqi i tha se po punohet që kjo të përfundojë sa më shpejt.

“Tash për tash po punojmë. Jemi të interesuar të kryejmë sa më shpejt”, tha ai.

Aktualisht, sipas Bulliqit ekspertët janë në proces të grumbullimit të të dhënave dhe kur të analizohen të gjitha vjen edhe raporti final.

“Jemi duke punuar jemi në proces të grumbullimit të materialeve edhe praktike, edhe teorike dhe analizës së dokumentacionit shtetëror nuk do ta çojmë larg dhe do ta dërgojmë raportin final”, deklaroi shkurt Bulliqi, duke mos treguar se sa javë ose edhe muaj do të shkojnë që çështja e demarkacionit të mbyllet një herë e mirë.

Megjithatë, kryeministri Ramush Haradinaj kohë më parë pati thënë se Kosova do të kërkojë nga BE që vendit t’i hiqet ky kush dhe të liberalizohen vizat, pasi e ka quajtur padrejtësi, mirëpo deri më tani nuk ka asgjë konkrete në këtë aspekt.

Nga ana tjetër, Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ripërsëritur disa herë se nuk do të ketë viza për Kosovën deri në përmbushen e të gjitha kritereve të parapara nga BE.

Edhe pse u bë e ditur nga BE për specifikën e kushteve, duhet të kihet parasysh edhe deklarata tjetër e kryeministrit Haradinaj kur tha se marrëveshja aktuale e demarkacionit me Malin e Zi nuk do të kalojë asnjëherë, së paku jo forma aktuale, e që për një gjë të tillë deklaratat e deri tanishme të zyrtarëve malazias thonë se nuk do të ketë rishikim të marrëveshjes.

Ndërkohë, dje diplomati amerikan Brain Hoyt Yee, por jo vetëm pasi edhe zyrtarë tjerë të shteteve mike të Kosovës, tha se Kosova të përfundojë sa më shpejt çështjen e demarkacionit dhe qytetarët të marrin vizat.

E pas krejt kësaj, po pritet raporti final i Komisionit për demarkacion dhe të shihen hapat e Qeverisë së Kosovës rreth kësaj çështje problematike deri në këto momente.