Shpend Ahmeti: Mesazhi nesër do të duhej të ishte që Kosova flet me një zë

07.01.2019 23:20:26

Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror për Dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka treguar se çfarë pret nga takimi i nesërm me Përfaqësuesn e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, në Bruksel.

“Nuk kemi çfarë të jemi as optimist, as pesimist. Kemi një moment të ri në Republikën e Kosovës, krijimi i Delegacionit Shtetëror të mandatuar nga Kuvendi i Kosovës, si ekip i vetëm që mund të negociojë dhe arrijë një marrëveshje, në konsultim me liderët e tjerë shtëtërore”.

“Edhe Brukseli duke marrë parasysh që brenda tetë ditëve ne duhet të dorëzojmë një platformë në Kuvendin e Kosovës dëshiron që të njoftohet me Delegacionin Shtetëror, të flasim për hapat e radhës, çfarë presim ne dhe çfarë presin ndërmjetësuesit, që në këtë rast është Federica Mogherini dhe zyra e saj”.

“Unë mund të shtirem thua se nuk ka ndodhur asnjë proces dhe të themi se gjithçka po fillon nga ne por është e qartë se ka pasë takime dhe diskutime. Ne jemi në proces të marrjes së informatave, si Delegacion Shtetëror dhe po ashtu për ta njoftuar Brukselin se ka Delegacion Shtetëror që është i gatshëm të ulet dhe të diskutojë me Republikën e Serbisë për njohjen e ndërsjellë dhe natyrisht temat që kanë mbetur të hapura”.

“Besoj që takimi nesër do të qartësojë shumë gjëra për rrugën përpara – në orën 10:00 do të takohemi me Federica Mogherinin ndërsa në orën 11:00 do të takohemi me ekipin e saj që të flasim me detaje për punën që na pret në muajt e ardhshëm”.

Ahmeti në një intervistë për Zona B të Klan Kosovës, nga Brukseli, ka thënë se pjesë e Delegacionit Shtetëror për Dialogun me Serbinë duhet të jenë të gjithë përfaqësuesit e partive politike.

“E para, është e qartë që po të kishin edhe pushtetin, edhe numrat, që të vazhdojnë vetë nuk do të na ftonin neve opozitën, pra kemi një moment të ri që kërkon përfshirje më të gjerë se sa veç koalicioni qeverisës”.

“Mendoj se duhet të jenë të përfshirë të gjithë akterët politikë sepse nuk po flasim për pronë, shtet që është i një subjekti politik po flasim për rregullimin e Kosovës, shtetin tonë të pavarur, integritetin e saj territorial dhe potencialisht për një marrëveshje që zgjat për dekada të tëra. Nuk mund t’i ikim kësaj përgjegjësie”.

“Do të ishte jo e natyrshme që të kemi dakordancë 100 % në të gjitha temat. Është e qartë se ka një mospajtim mes asaj se si e sheh presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj”.

“Unë dhe subjekti që përfaqësoj, PSD-ja, nuk jemi për të negociuar mes presidentit dhe kryeministrit. Ne kemi qëndrimin tonë politik, do të ishte mirë që të gjitha subjektet politike të kishin qëndrimin e vet politik”.

“Mesazhi që do të duhej të dërgonim nesër do të duhej të ishte që Kosova ka Ekip Negociator dhe Kosova flet me një zë”.