Shpend Ahmeti privatizon parkingun e Komunës së Prishtinës (Dokument)

24.10.2017 13:23:34

Lëvizjen Vetëvendosje e kemi dëgjuar shpeshherë duke folur kundër privatizimeve. Por, me qeverisjen e tyre në Komunën e Prishtinës, me pronën shoqërore jo rrallëherë kanë abuzuar edhe vetë.

Një rast skandaloz është edhe propozimi i miratuar i Shpend Ahmetit për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prishtinës me pronë private, e cila është shndërruar në parking privat afër objektit të komunës së re.

Lajmi.net ka siguruar vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, i cili me propozim të Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte ndërruar pronën shoqërore të Prishtinës, me pronën private të Nexhat (Shaban) Rexhepi dhe Liman (Beqir) Jashari.

“Mënyra dhe kushtet e këmbimit të pronës së paluajtshme do të përcaktohen me kontratë, e cila lidhet dhe nënshkruhet në mes të Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe pronarit të parcelave kadastrale që do të këmbehen”, thuhet ndër të tjera në këtë vendim.

Për zbatimin e këtij vendimi, bazuar në këtë vendim, do të kujdesen Kryetari i Prishtinës, Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria për Kadastër e Komunës së Prishtinës.

Kjo parcelë që Komuna e Prishtinës e ka këmbyer, deri më tash ka shërbyer si parking i saj.