Shqetësimi amerikan për vijën gjeopolitike Moskë – Det Adriatik dhe nevoja për bashkim të fortë kundër synimeve të Putinit për zgjerim*

11.10.2016 19:05:03

Nga Rexhep Kastrati

Në intervistën e tij për “Zërin e Amerikës”, Kristofer Marfi, senator dhe kryetar i Nënkomisionit për Çështje Evropiane në Komisionin për Politikë të Jashtme të Senatit Amerikan, ka qenë shumë i qartë dhe shumë konkret lidhur me zhvillimet e ndryshme gjeopolitike, sidomos në Ballkan dhe në Ukrainë. Ai tha se “është e dukshme se Vladimir Putin ka qëllime zgjerimi. Ai pretendon se gjëja me e keqe që i ka ndodhur Rusisë, të paktën në 100 vitet e fundit, ka qenë shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, duke u përpjekur për të ribashkuar disa rajone të perandorisë së vjetër sovjetike. Duhet t’i mbajmë sytë hapur, se cila është axhenda e tij, të bëjmë kujdes që ajo të mos përfundojë në Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë. Dukshëm ai i ka sytë dhe mbi Ballkan dhe nuk është e vështirë për t’u kuptuar, se do të përpiqet të shkaktojë probleme për vendet anëtare të Natos në të ardhmen. Pra ne duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm, si miqtë tanë në Europë edhe partnerët tanë në Ballkan, për qëllimet e presidentit Putin, prandaj ne duhet t’i dërgojmë një mesazh të fuqishëm bashkimi lidhur me sjelljen e tij në Ukrainë.”. Me këto që thotë, senatori amerikan për herë të parë kaq hapur shpreh bindjen e SHBA-ve se shteti rus, përkatësisht presidenti i tij, Vlladimir Putin, po synon zgjerimin, duke bërë të qartë se “ ai ka sytë edhe mbi Ballkan, dhe nuk është e vështirë për t’u kuptuar se do të përpiqet të shkaktojë probleme për vendet anëtare të NATO-s…”. Në këtë mënyrë, SHBA-të nëpërmjet kryetarit të Nënkomisionit për Çështje Evropiane në kuadër të Komisionit për Politikë të Jashtme të Senatit Amerikan, konfirmoi ambiciet e Rusisë për atë që unë e kam quajtur vijë gjeopolitike e gjeostrategjike Moskë – Det Adriatik. Duhet thënë se për këto synime të Rusisë dhe të vetë Putinit jam duke shkruar gati që një dhjetvjetësh e gjysmë, dhe më konkretisht që nga fejtoni “Raportet gjeopolitike dhe çështja shqiptare” të botuar në prill-maj 2001, dhe në të cilin fejton kam analizuar dhe shqyrtuar çështjen shqiptare në kontekst gjeopolitik. Dhe që atëherë kam vënë në pah një aleancë sllavo-ortodokse ndërmjet Serbisë, Maqedonisë, Greqisë, Malit të Zi, Rusisë, e cila në rastin e luftës në Maqedoni, është zgjeruar edhe me aleancën me Ukrainën, e cila tash është edhe vetë viktimë e synimeve ruse për zgjerim. Dhe kjo aleancë nuk është se është aleancë që ka ndodhur pas prishjes së Bashkimit Sovjetik, por është aleancë e hershme, është aleancë e shekullit XIX, e cila ka qenë e drejtuar kryesisht kundër territoreve dhe kombit shqiptar. “Megali Idea” greke, dhe “Naçërtania” serbe kanë pasur për qëllim që të realizojnë Greqinë e Madhe dhe Serbinë e Madhe në emër të pavarësimit nga Perandoria Osmane. Është interesant se si “Megali Idea” ashtu edhe “Naçërtnia” janë shfaqur në të njëjtin vit, më 1844, dhe në thelb kanë pasur zgjerimin e Greqisë dhe të Serbisë në dëm të fqinjëve, përfshirë edhe shqiptarët. Sipas Enciklopedisë Britanike (Encyclopædia Britannica) “Nëse shprehja ishte e re, në vitin 1844, koncepti është rrënjosur thellë në psikologjinë greke dhe është ushqyer nga profecitë e orakujve dhe kishte mbajtur gjallë shpresat për çlirimin përfundimtar nga zgjedha turke gjatë shekujve të errët të turkokracisë. Idea e madhe ka parashikuar restaurimin e Perandorisë Bizantine të krishterë ortodokse, me kryeqytetin e saj të themeluar sërishmi në Konstantinopojë, e që do të arrihet duke përfshirë brenda kufijve të një shteti të vetëm të gjitha zonat e vendbanimeve greke në Lindjen e Mesme. Përveç popullatës greke të vendosur në një zonë të gjerë në Gadishullin e Ballkanit jugor, ka pasur popullsi greke në kryeqytetin osman, Konstatntinopojë (Stambolli); përgjatë brigjeve të detit Marmara; përgjatë rajonit perëndimor bregdetar të Azisë së Vogël, veçanërisht në rajonin e Smirnës (Izmir); në Anadollin qendror (Cappadocia e lashtë), ku pjesa më e madhe e popullatës greke ishte turk-folëse, por që përdornin alfabetin grek për të shkruar turqisht; dhe në rajonin Pontusi verilindor të Azisë së Vogël, izolimi gjeografik i të cilit kishte çuar në një formë të errët që nuk ishte kuptuar diku tjetër në botën greke.”. Është e qartë se “Megali Idea”, përveç territoreve në jug të Ballkanit, e që në fakt ishin dhe janë territore shqiptare, ishte shtrirë në masë të madhe në territore që preknin drejtpërdrejt pjesën aziatike të Perandorisë Osmane, gjithnjë në frymën e rikthimit të lavdisë dhe të shtrirjes që afërsisht e kishte Perandoria Bizantine e krishterë ortodokse. Në anën tjetër, në “Naçrtanie”, në dokumentin e hartuar nga Ilija Garashanini, që shërbeu edhe si ministër i punëve të brendshme dhe kryeministër i Serbisë, ndër tjerash thuhet se “Shteti serb, i cili  veç ka filluar fatmirësisht, por që duhet të zgjerohet dhe të forcohet, ka bazën dhe themelin e vet të fortë në mbretërinë serbe të shekullit 13 dhe 14 dhe në historinë e pasur dhe të lavdishme serbe.” Më tej, nëpërmjet “Naçrtanjes”, Garashanin këshillon se për të realizuar qëllimet serbe duhet dërguar njerëz të mençur dhe besnikë për të hetuar gjendjen e popujve në, siç thotë ai, provincat që e rrethojnë Serbinë. “Veçanërisht duhet raportuar mbi Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë veriore. Në të njëjtën kohë, është e domosdoshme të dihet saktësisht edhe gjendja në Sllavoni, Kroaci dhe Dalmaci, e kuptohet se në këto bien edhe popujt e Sremit, Banatës dhe Bërçkos.”. Pra, shihet në të dy rastet, si në konceptin e “Megali Idea-s”, ashtu edhe te “Naçrtanja” bëhet fjalë për zgjerim, për forcim edhe në rajonet, përkatësisht provincat turke, shqiptare, boshnjake, kroate, hungareze etj. Pra, koncepti i zgjerimit, për të cilin ka folur senatori amerikan, është koncept i hershëm i sllavo-otodoksëve që nga shekulli XIX e këndej dhe është provuar të realizohet, dhe në masë të madhe edhe është realizuar. Kjo është arritur nëpërmjet masakrave të vazhdueshme kundër shqiptarëve në territoret etnike në Ballkan. Në funksion të zgjerimit të sllavo-ortodoksëve në Ballkan, kanë qenë të gjitha angazhimet e serbëve, grekëve dhe të rusëve, të cilat në shekullin XX dhe në shekullin XXI janë shfaqur nëpërmjet luftërave gjenocidale kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, si dhe nëpërmjet riaktualizimit të tezës greke për Vorioepirin. Kur të shihet harta e luftërave gjenocidale serbe në Kroaci, Bosnjë dhe në Kosovë, nuk është vështirë të gjendet ajo që shkruhet në “Naçrtanjen” e Garashaninit, dhe që e citova më parë. Prandaj, duhet thënë se element thelbësor i politikës së jashtme dhe përgjithësisht i strategjisë shtetërore serbe ka mbetur ai që ka përcaktuar Ilija Garashanin në “Naçtanjen” e tij, pavarësisht ndryshimit të konteksteve gjeopolitike, e ai element është zgjerimi dhe forcimi i shtetit serb në rajon, e që është munduar dhe mundohet ta bëjë edhe me ndihmën e madhe të Rusisë. Në fakt, ajo që ka ndodhur në ish-Jugosllavi, si dhe ajo që po ndodh në zonën e Euroazisë uralo-altaike nuk është asgjë tjetër, pos përpjekje për rikthimin e lavdisë së Perandorisë Bizantine të krishterë ortodokse, nëpërmjet realizimit të vijës gjeopolitike e gjeostrategjike Moskë – Det Adriatik. Në këtë kuptim, duhet kuptuar edhe shqetësimin e senatorit amerikan që tendenca e zgjerimit që ka Putini, të shtrihet në Ukrainë, Gjeorgji, Moldavi, e që rrezikon të shtrihet deri në Ballkan dhe kështu të realizohet vija gjeopolitike e gjeostrategjike Moskë – Det Adriatik, e që do të kalonte nëpër Ukrainë, Moldavi, Rumani, Serbi, Mal të zi, pastaj nëpërmjet Gjeorgjisë, nëpër ujërat ndërkombëtarë në Detin e Zi, në Bullgari, Serbi, Mal të Zi. Natyrisht se në gjithë këtë, rol të madh do të kenë shtetet evropiane, një pjesë e të cilave janë pjesë e BE-së, një pjesë me disponim të fortë kundëramerikan dhe që duan ta nxjerrin SHBA-të nga gjeopolitika evropiane. Zaten edhe sllavo-ortodoksët janë duke llogaritur në raportet që shtete të ndryshme evropiane kanë pasur dhe kanë me ta, pra me sllavo-ortodoksët, e që janë shfaqur edhe gjatë kohës së luftërave në ish-Jugosllavi e më pastaj, si dhe në qëndrimet diplomatike, ushtarake dhe ekonomike që kanë mbajtur ndaj Serbisë, si dhe po shfaqen edhe në qëndrimet që mbajnë në ambiciet ruse për zgjerim në Gjeorgji, Ukrainë, Moldavi e deri në Ballkan. Dhe duket të jetë ky edhe shqetësimi i SHBA-ve, të cilat jo njëherë janë kundërshtuar nga aleatët e tyre në qëndrimet ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme, në zhvillimet në Gjeorgji, Ukrainë, por edhe në ish-Jugosllavi. Për këtë arsye, senatori marfi është shumë i qatë kur thotë se “ne duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm, si miqtë tanë në Europë edhe partnerët tanë në Ballkan, për qëllimet e presidentit Putin, prandaj ne duhet t’i dërgojmë një mesazh të fuqishëm bashkimi lidhur me sjelljen e tij në Ukrainë”, duke bërë të qartë se situata është shumë serioze dhe nuk mund të tolerohen më qëndrime të ndryshme, kundërthënëse dhe kundërshtuese. Dhe këtë duhet ta kuptojnë shumë qartë shqiptarët dhe të mos lejojnë dukuri të tilla që nxisin dhe mbështesin angazhime të tilla kundëramerikane, siç është edhe radikalizmi islamik, si dhe dukuri të tjera që dobësojnë fuqinë e shtetit qoftë në shtetin aktual shqiptar dhe në Kosovë.

 

*Ky shkrim është botuar më 22 tetor 2014