Ndeshja Shqipëri-Angli për ministrinë e Shëndetësisë duhet të zhvillohet pa praninë e tifozvëve. Komiteti Teknik ka refuzar kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit për të pasur një prani të tifozëve deri në 30 për qind të kapacitetit të stadiumit Air Albania.
Në përgjigjen zyrtare të kthyer nga Ministria e Shëndetësisë, bëhet e ditur se prania e tifzoëve konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për shkak të pandemisë së COVID-19.
“Zhvillimi i këtij aktiviteti sportiv me pjesmarrje të spektatorëve konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e infeksionit Covid-19, kjo për shkak se shoqërohet me grumbullime njerëzish. Duke parë situatën epidemiologjike, në kushtet e numrit të lartë të rasteve të reja të infektimeve me Covid-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk e miraton kërkesën tuaj”, thuhet në letrën e mbërritur në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Kujtojmë që ndeshja Shqipëri – Angli do të luhet në datën 28 mars, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit kishte kërkuar leje nga Ministria e Shëndetësisë për 30 përqind të kapacitetit të impiantit modern. Në letrën e FSHF-së kërkohej që të pranishëm të 6500 tifozë gjithsej. Por refuzimi i Komitetit duket lidhet edhe me faktin se Air Albania është kthyer edhe në një qendër vaksinimi anti Covid.






































