Shqipëri: Betohet qeveria ‘Rama 2’, Meta: Bashkë për integrimin, shqiptarët po presin

13.09.2017 22:19:38

Rreth orës 17:00 te pasdites se sotme ka nisur në Presidencë ceremonia e betimit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

I pari qe është betuar me doren mbi Kushtetute ishte kryeministri Edi Rama, i cili me pas shtrengoi doren dhe beri fotot e rastit me presidentin Ilir Meta, per t’u ndjekur me tej nga kabienti i qeverise Rama 2, i reduktuar e numer krahasuar me qeverine Rama 1.

Në momentin e betimit, mes kryeministrit dhe kreut të shtetit ka patur edhe një shtrëngim duarsh. Duke marrë fjalën në këtë event, Meta ka shprehur urimin që qeveria e re të jetë në lartësinë e detyrave që e presin.

“Dëshiroj që në këtë moment të rëndësishëm të ndaj me ju urimin më të sinqertë për suksese dhe rezultate sa më pozitive në qeverisjen e vendit. Qytetarët presin përpjekje më të mëdha për të përballur sfidat që kemi përballë”, ka deklaruar Meta.

Në cilësinë e presidentit, Meta ka kërkuar përshpejtimin e zbatimit të reformës në drejtësi, ndërkohë që theksin e ka vendosur edhe tek integrimi europian.

“Anëtarësimi në BE është një aspiratë kombëtare, ndaj besoj se mazhoranca dhe opozita do të bashkëpunojë ngushtë për çeljen e negociatave sa më parë të jetë e mundur”, ka thënë Meta.

Paraditen e të dielës, një ditë pasi dekretoi Edi Ramën si kryeministër të vendit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar edhe qeverinë e re, të propozuar nga kryeministri.

Veprimi është kryer një ditë pasi shkresa i mbërriti nga kreu i qeverisë. Meta ka dekretuar kabinetin e ri qeveritar, në përbërje të të cilit janë 11 ministra, 2 ministra për shtetin, zëvendëskryeministrja Senida Mesi, kryesuar nga Edi Rama. Dekreti mban firmën e Presidentit Ilir Meta dhe ka hyrë menjëherë në fuqi.