Shqipëri/ Edi Paloka publikon videon: Si u rrëmbyen kuksianët në mes të natës

16.04.2018 21:35:41

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka përmes një konference për shtyp pas mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike publikoi një video, që tregon momente nga arrestimi i protestuesve për taksën në Rrugën e Kombit.

Në video tregohet se kuksianët janë nxjerrë nga shtëpia në mes të natës. “Policët e Fatmir Xhafës si banditë të maskuar janë sulur dhe kanë rrëmbyer qytetarët e Kukësit”,- thotë ai teksa komenton pamjet.

“Kemi prova të reja për arrestimin e kuksianëve, që u rrëmbyen nga shtëpia, që as regjimet më të egra nuk e kanë bërë, – vijoi deputeti demokrat. – Forcat e Fatmir Xhafës, si banditë të maskuar janë sulur dhe kanë rrëmbyer qytetarët e Kukësit nga shtëpitë e tyre. Rrëmbyen ata qytetarë që protestuan për të drejtën e tyre dhe për bukën e gojës. Nuk do ketë qetësi për Ramën deri sa qytetari i fundit i Kukësit të mbahet në mënyrë të padrejtë në burg. Ata janë të pafajshëm, janë rrëmbyer në kundërshtim me ligjin dhe të drejtat e njeriut. Prokuroria falsifikoi orën e arrestimeve të kuksianëve. Ne si opozitë do jemi në krah të qytetarëve kuksianë”.