Shqipëri/Edi Rama: Deputeti i Kurbinit të përjashtohet nga PS, ka shantazhuar

07.09.2018 19:24:00

Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste, deputetin e Kurbinit Gjetan Gjetani. Duke folur sot në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama tha se askush nuk u ka kërkuar kryetarëve të PS në territor që të jenë shefa kuadri dhe garantoi se do të bëhet çmos që një gjë e tillë të ndryshojë.

“Deputeti i PS, Gjetan Gjetani ka dalë kundër policisë në Kurbin dhe paralajmëron se nëse ky komisariat nuk pastrohet, ai do të jetë i pari që do të dalë në protestë. Ai ka bërë mirë që nuk ka ardhur sot në Asamble.

Ka shantazhuar për vende pune në Kurbin. Bëri deklarata pocaqi për Policinë e Shtetit. T’i japim fund futjes së hundëve në punët e shtetit. Duke duruar shushunjat, PS humb gjakun e vet”, tha Rama.

Pak ditë më parë deputeti Gjetan Gjetani bëri këtë publikim në rrjetet sociale

“Ngjarjet e fundit të ndodhura në Kurbin, më kanë shqetësuar shumë. Duke bërë që, në Kurbin, mos të ndjehemi të sigurt. Eksploziv, kërcënim me armë dhe vrasja e dy të rinjve, tregon që, policia është hallkë shtetërore shumë e paaftë.

Kjo tregon, se në Kurbin, kanë sjellë oficera dhe drejtues policie të paafte të korroptuar dhe ordinera. Si deputet i kësaj zone, kam pas ankesa të shumta nga qytetarët të cilat do t’i bëj publike në parlament. Brenda muajit shtator do kërkoj interpelancë me ministrin e Brendshëm, dhe në qoftë se nuk do të marrë masa për pastrimin e Komisariatit të policisë Kurbin, unë i pari do ngrihem në protestë, duke kërkuar mbështetjen e gjithë qytetarëve të Kurbinit pa marrë parasysh ngjyrat politike”.