Shqipëri/ Interpelanca e parë e opozitës: Kërcënimet ‘e buta’ të ministres dhe kërcënimet ‘e forta’ të Alibeajt

08.02.2018 11:41:54

Një javë pasi Kuvendi u përfshi në kaos, këtë herë ishte radha që seanca të hynte në hulli normale.

Megjithatë interpelanca e parë e opozitës për qeverinë nuk kaloi pa kërcënime dhe tension.

Opozita kishte kërkuar interpelancë me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj për çështjen e ekstradimit të Nezar Seitajt, i dyshuar si financier i bandës së Habilajve.

Deputeti opozitar, Enkelejd Alibeaj, që ka qenë edhe vetë ministër i Drejtësisë, e përmendi disa herë fjalën burg, madje duke e cilësuar ‘burgun 313’.

Aq shpesh e përmendi, sa në një moment edhe vetë kryeministri Edi Rama qeshi me ironi. Qëllimi ishte frikësimi i ministres Gjonaj, e cila nga ana e saj tha se sa i përket ekstradimit të Seitajt, nuk ka bërë më shumë se paraardhësit e saj.

Madje, ajo shkoi më tej duke paralajmëruar parardhësit e saj për hetime ndaj ekstradimeve që kanë bërë ata gjatë kohës që kanë qenë në detyrë.

Alibeaj u përgjigj duke treguar një shkresë ku theksohej se ministrja kishte dijeni për situatën ligjore sa i përket Seitajt.

Ai tha se do e padisë ministren dhe e mbylli duke i treguar derën e burgut.

Ministrja, sërish me një zë të qetë në dukje, tha se qëllimi i opozitës është bllokimi i reformës në drejtësi. Madje shtoi se bllokimi i kësaj reforme është arsyeja që e ka shtyrë të futet në politikë, pasi ka qenë eksperte e saj.

Por për Alibeajn, kjo e bën të pafalshme çështjen e firmosjes së ekstradimit, pasi ministrja po shkel ligjet që ka përgatitur vetë.

Seanca e sotme ofroi akuza dhe kërcënime politike, por pikëpyetja është nëse poshtë kësaj çështje fshihet një implikim përvëlues ligjor.