Shqipëri/ Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla/“Peshku” i parë në rrjetën e SPAK, hetohet për pastrim parash

21.07.2019 15:26:05

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi deklaron se në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit SPAK-u do të jetë gati për të nisur punën me dosjet e nxehta.

Emri i vetëm që përmendi kreu i KLP-së si objekt të punës së SPAK-ut pas ngritjes ishte ai i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Duke shpjeguar se prokuroria e Posaçme do të trashëgojë 90% të portofolit të asaj të Krimeve të Rënda, Ibrahimi sqaroi se do të vijojnë hetimet për pastrimin e parave në ngarkim të ish-kreut të akuzës, Llalla.

“SPAK-u fillon nga shtatori apo fillimi i tetorit. Për 15 kandidatët e SPAK, KLP do të marrë një vendim për ta emëruar sapo të kalojë vettingun. Kur kjo të ndodhë për 7 apo 8 syresh do të shpallim krijimin e SPAK dhe fillimin e funksionimit të tij.

SPAK  do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90 % të portofolit të kësaj prokurorie, p.sh. do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla. Besimi i publikut tek SPAK do të sjellë kallzime të reja penale. Vetë prokurorët e SPAK, shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë ҫështje të fjetura” tha ai.

Llalla i vendosur në listën e zezë nga SHBA-ja u vu në hetim për pastrim parash në korrik të 2018 nga Krimet e Rënda pasi la postin e Kryeprokurorit, ndërsa prej më shumë se një viti ende nuk është arritur një rezultat, hetimet ndaj tij u shtynë pak javë më parë deri në muajin shtator, kur pritet të ngrihet SPAK-u.

Ibrahimi shpjegon edhe arsyet se përse SPAK-u do të jetë një strukturë efektive që do të japë rezultat menjëherë. “Ka tri “karta” të reja dhe të rëndësishme në dorë, pavarësinë e prokurorëve, kontroll të plotë mbi policinë gjyqësore dhe prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të SPAK do të jetë të monitoruar” tha ai.

Ibrahimi u shpreh se kryeprokurori i SPAK-ut do të rekrutojë drejtuesin e BKH  dhe të dy bashkë do rekrutojnë oficerët e policisë gjyqësore, pra hetuesit e BKH, që do të trajnohen nga ekspertë amerikanë të FBI. Duke u ndaluar te hetimi i cështjeve të vjetra, Ibrahimi theksoi se hapja e tyre nuk ka kufizim kohor kur ato nuk janë parashtruar.

‘Për vepra penale të korrupsionit afati ligjor i hapjes së tyre është shumë i gjatë, shkon me dekada’ përfundoi ai. Të martën, pas 7 muajsh nga hapja e aplikimeve për SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë publikoi listën paraprake me 15 emrat e përzgjedhur për Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion.