Shqipëri/Jozefina Topalli ‘rikthehet’ në Kuvend. Injoron Bashën, miqësore me Majkon e Ruçin

19.07.2018 12:53:33

Ajo është deklaruar një “armike” e Lulzim Bashës dhe krah rivalëve të tjerë të kryetarit të Partisë Demokratike, Jozefina Topalli u rikthye sot në Parlament në ceremoninë për përurimin e bustit të Pjetër Arbnorit, një nga figurat më të njohura të PD.

Figura e politikanit dhe shkrimtarit Pjetër Arbnori, i cilësuar si Mandela i Shqipërisë, bëri bashkë sot të majtë dhe të djathtë përtej bindjeve dhe ndasive politike.

 

Ish-kryetarja e Kuvendit u shfaq publikisht pas një mungese të gjatë dhe në foto duket në shoqërinë e Genc Rulit, ish-ministër i qeverisë Berisha dhe kritik i Bashës.

Por teksa Bashën e kishte përballë, Topalli gjeti në këtë “rikthim” në Parlament ngrohtësinë dhe mikpritjen e kolegëve të vjetër socialistë, me të cilët ka zhvilluar debate të ashpra politike dikur.

Ajo u pa teksa bisedonte tepër ngrohtë me Ministrin e Diasporës Pandeli Majko dhe kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi.