Shqipëri/ Mësimi online/ Maturantët: Nuk jemi gati për provime

16.02.2021 10:25:30

Që prej ditës së djeshme të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar i janë nënshtruar mësimit online. Sipas një urdhri të ministres së arsimit, Evis Kushi deri në datën 19 shkurt, për shkak të përkeqësimit të motit, temperaturave ekstremisht të ulëta, reshjeve të dëborës, ngricave dhe stuhive në shumë zona të vendit mësimi do të zhvillohen online.

Bazuar në “Udhëzuesin për Fillimin e Vitit Shkollor 2020-2021”, nxënësit dhe mësuesit kanë tri platforma alternative në ndihmë të procesit mësimor që janë: Platforma online “Akademi.al”; Kanali i dedikuar “RTSH Shkolla”; Kanali i MASR në “Youtube”.

Në sajë të këtyre alternativave, nxënësit mund të ndjekin të gjitha videot mësimore sipas një plani mësimor të unifikuar për të gjitha klasat në të gjitha shkollat e vendit.  Por edhe më herët mësimi online nuk është se ka rezultuar një proces i suksesshëm.

Edhe vetë zyrtarët e lartë i kanë pranuar problemet që kanë shumë familje shqiptare, me aksesin e duhur në teknologji dhe internet për të marrë pjesë plotësisht në mësimin online.

Të ftuar në “Wake Up”, nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Tiranë, Ema Meçaj, Arbëri Shehu dhe Uendi Dauti treguan si po shkon mësimi online.

“Platforma nuk punoi dje dy orët e para për shkak të mbingarkesës dhe gjatë asaj kohe punuam nëpërmjet whatsapp”, u shprehën nxënësit.

Arbëri dhe Uendi, të cilët janë maturantë thanë se nuk janë të përgatitur për provimet, pasi prej një viti nuk kanë zhvilluar një proces normal mësimor.

“Nuk jemi gati për provime. Nuk kemi marrë njohuritë e duhura”, theksuan ata.