Shqipëri/ Mjekët japin alarmin, pacientët po shkojnë drejt verbimit/ Okulistja: Personat mbi 35 vjeç duhet patjetër…

10.03.2021 10:58:11

Profesionistët e shëndetit gjithnjë e më shumë e pranojnë se pandemia, i detyroi ata të fokusoheshin më shumë tek virusi SarsCov2 dhe njerëzit të harronin sëmundjet e tjera.

Kjo javë e marsit, në të gjithë botën i kushtohet glaukomës, një prej sëmundjeve kronike që po gjen një përhapje gjithnjë e më shumë në botë.

Glaukoma shkakton humbje të parikthyeshme të shikimit dhe mjekët po japin alarmin, pasi është sëmundja e dytë në botë që shkakton verbërinë, pas kataraktës.

Sipas të dhënave që raportohen nga organizata që merren me studimin e kësaj sëmundje, gjatë 2020 numri i njerëzve që vuajnë nga glaukoma ka shkuar në 76 milionë, ndërkohë që deri në 2040 parashikohet që kjo shifër të shkojnë në 111.8 milionë pacientë të prekur, një kontigjent ky që është në risk për verbëri.

E ftuar në “Wake Up”, mjekja okuliste, Klajda Bardhi tha se personat mbi 35 vjeç duhet me patjetër të bëjnë një vizitë të detajuar te specialisti për të parë nëse kanë probleme të tilla.

“Glaukoma është një sëmundje kronike, progresive, neuro-degjenerative, e cila shkakton dëmtime të parikthyeshme të humbjes së shikimit. Dëmton nervin optik dhe dëmtimet janë të parikthyeshme.

Prandaj dhe java Botërore e Glaukomës ka për qëllim të informojë dhe sensibilizojë njerëzit që të njihen me faktorët e rrezikut të kësaj sëmundje dhe gjithashtu të bëjnë vizita të shpeshta të syze që ta kapim sa më herët.

Faktor rreziku i kësaj sëmundje është mosha, targeti tashmë është ulur, nuk është më 40 vjeç, por 35 vjeç e lart. Njerëzit mbi 35 vjeç duhet të bëjnë një vizitë të detajuar te mjeku specialist”, bëri të ditur mjekja.