Shqipëri/ “Mos vdeksha pa e parë Tiranën kampione”/ Shuhet 95-vjeçari që nuk hoqi dorë nga ngjyrat bardheblu

29.07.2020 10:44:41

Abdullah Krutani do të kujtohet nga të gjithë tifozët e Tiranës për dashurinë e tij pa kushte që kishte për ngjyrat bardheblu. Ai kishte thënë se nuk do të vdiste pa e parë Tiranën kampione. Një dëshirë gjysëm e realizuar, për shkak se ai nuk arriti të shohë ekipin të ngrejë trofeun e kampionit. Abdullah Krutani, për lexuesit njihet edhe si personi që doli i gjallë nga kampet e përqëndrimit në Mathausen, pas Luftës së Dytë Botërore dhe për këtë, si një ndër dy shqiptarët që kanë vuajtur në këtë kamp

“Mu dridhte zemra kur dilte Tirana në fushë, se vërtetë tifozlliku ishte tifozllik, por ka qenë i përmbajtur. Tani ndeshjet i shoh në televizor, se mi ka marrë zoti sytë. Ne kemi qenë tifozë me verte dhe kur dilnim nga stadium, kapeshim në qafë me njeri tjetrin, jo urrejtje ndaj njëri tjetrit.

Në vitin 1934 fillova të dëgjoj emrin e futbollit. Dhe vellai im ishte më i madh dhe më thoshte Tirana kështu e ashtu. Dhe i thosha unë, ‘cfarë Tiranë’. Eh mo Abdulla, më thosh, është top futbolli”

Abdullah Krutani gjithashtu në një intervistë të bërë para disa viteve tregon edhe dy lojtarët që ai adhuronte.

“Fatmir frashëri dhe Ali Mema ishin zemra ime. Dhe natën kur bija për të fjetur nuk më zinte gjumi. I doja me gjithë zemër. Mos vdeksha kurrë pa e parë Tiranën në krye të klasifikimit”, ishte shprehur ai.

Me rastin e titullit kampion, klubi bardheblu kishte përgatitur ftesën për ta pasur në tribunën kryesore, por ditën e diel, 95-vjeçari u përcoll për në banesën e fundit. Në ceremoninë e varrimit ishte prezent edhe presidenti i ekipit të Tiranës Refik Halili.