Sot hyjnë në fuqi ndryshimet në paketën fiskale 2017. Nga zbatimi i këtyre ligjeve, buxheti i shtetit pritet të arkëtojë mbi 6 milionë euro nëpërmjet rritjes të akcizës 8 lekë për litër ndaj mjeteve të transportit, zgjerimit të bazës së taksimit të makinave luksoze, dyfishimit të akcizës për cigaret e luksit. Gjithashtu hyn në fuqi ulja e rentës minerale për disa lloj xeherorësh.
Viti 2017 shënon të katërtin vit radhazi ku politika fiskale e vendit po anon nga rritja e taksave, ndonëse do jetë me ritme shumë më të zbutura se dy vitet e mëparshme.
Politika e re fiskale e qeverisë nuk do të sjellë ndryshime thelbësore në klimën e biznesit, por gjithsesi ajo jep sinjale pozitive për heqjen dorë nga mjetet represive ndaj ekonomisë private. Gjithsesi, Shqipëria vijon të jetë vendi me rendimentin më të ulët në Ballkan në grumbullimin e taksave në raport me PBB.
Të gjitha ndryshimet:
Rritet me 8 lekë akciza për gazin e lëngët që konsumojnë mjetet e transportit
Qeveria ka planifikuar që në janar të vitit që vjen të aplikojë akcizë për gazin e lëngshëm për mjetet e transportit në nivelin 8 lekë për litër. Ministria e Financave ka arsyetuar se kjo masë ka qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt.
Diferencimi i këtij produkti, në raport me nënproduktet e tjera të naftës, bie ndesh me politikat e përafrimit gradual me nivelin e detyrueshëm minimal të taksimit që aplikohet në BE, ku aplikohet akcizë në nivelin e detyrueshëm sipas direktivës, argumenton Ministria e Financave në relacionin përkatës për paketën fiskale të 2017-s. Për të mos ndikuar në rritjen e shpenzimeve nga përdoruesit familjarë të industrisë dhe për të shmangur abuzimet që mund të ndodhin duke aplikuar nivele të diferencuara, me qëllim inicimin e procesit të përafrimit siç edhe ka ndodhur me produktet e tjera të akcizës, është propozuar nga qeveria një nivel taksimi me akcizë 13 lekë për litër, por që Komisioni i Ekonomisë në Kuvend vendosi që kjo taksë të mos jetë më shumë se 8 lekë për litër.
Dyfishohet akciza për purot, ulet për duhanin vendas
Ndryshimet në ligjin për taksat kombëtare, rritet baza e taksimit të makinave luksoze
Ndryshimet në ligjin për taksat kombëtare riklasifikuan të ashtuquajturave “Automjete luksoze”, duke kërkuar ndryshimin e vlerës/ çmimit të këtyre mjeteve, nga 7 milionë në 5 milionë. Aplikimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit për sasinë e benzinës dhe gazoilit që gjendet në përmbajtjen e biokarburantit, ndërsa për pjesën e produktit “BIO” nuk do të aplikohet taksa. Ky ndryshim do të sigurojë një taksim të drejtë, duke taksuar sipas sasisë së benzinës dhe gazolit që ka në përmbajtje karburanti për produktin bio. U aplikua përjashtimi nga pagesa e taksës së qarkullimit për sasinë e benzinës dhe gazolit e prodhuar në vend për qëllimi eksporti. Rishikimi i këtyre dispozitave ligjore bëhet në përputhje me parimet fillestare për të cilat u vendos taksa e qarkullimit ku “ndotësi paguan”. Ndryshoi skema lehtësuese që përjashton nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit, duke kërkuar tanimë që ky përjashtim të bëhet nëpërmjet aplikimit të procedurave të rimbursimit, të cilat do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe do të fillojnë të aplikohen nga data 1 korrik 2017 U rregullua dispozita në të cilën shoqëritë e sigurimit të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ngarkohen në mbledhjen e taksës mbi primet e shkruara, duke propozuar që tanimë taksa të evidentohet e veçuar nga primi. U bënë disa saktësime për përjashtimin nga taksa vjetore të mjeteve të përdorura si dhe taksës së përvitshme dhe taksës së regjistrimit të mjeteve luksoze, jo vetëm për mjetet e bllokuara ose ato të vërtetuara si të vjedhura por edhe mjetet e djegura, të shkatërruara nga aksidentet, të cilat vërtetohen nga organet e prokurorisë. U saktësuar dispozitës përsa i takon përjashtimit nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura, për mjetet që janë apo kalojnë në zotërim të invalidëve, të cilat janë edhe më të vogla se 4+1, për arsye se kategoritë e invalidëve mund të kenë në përdorim mjete të përshtatura për kategorinë e tyre.
Renta, ndryshon baza e referencave
Një nga masat e reja fiskale të vitit 2017 është reduktimi i Rentës Minerare për mineralin e destinuar për përpunim. Të ardhurat si rezultat i ndryshimit të përqindjes së taksës së rentës nga 4% (2/3 e 6%) në 3% për mineralin krom, të destinuar për përpunim brenda vendit, pritet të jenë 0.1 miliard lekë. Por, nga ana tjetër, do të aplikohen vlera referuese për bazën e taksimit të rentës, bazuar në çmimet e tregut ndërkombëtar dhe shitjet brenda vendit dhe për eksport. Efekti pozitiv i kësaj mase në të ardhura është llogaritur 500 milionë lekë, bazuar në nivelin e vetëdeklaruar nga kompanitë eksportuese të naftës bruto gjatë viteve 2013-2015.
Por Ministria e Financave analizon se efektet negative për shkak të rimbursimit prej 5% kompensohen nëpërmjet rritjes së rezultatit financiar të kompanive eksportuese në rajon, duke rritur volumet. Në rastin e eksportit të produkteve shqiptare me ambalazhe plastike apo qelqi, për të cilat është paguar taksë ambalazhi në momentin e importit apo shitjes pas prodhimit brenda vendit, propozohet të parashikohet rimbursim pas paraqitjes së dokumentacionit që vërteton pagesën e taksave dhe eksportin. Ndryshimi i propozuar vlerësohet të ketë një efekt pozitiv prej 500 milionë lekësh sipas nivelit të çmimeve të vitit 2016 për të ardhurat nga renta minerare.
Në vitin 2017, tarifat e qymyrit koks nga 2% aktualisht do të bëhen zero. Ky produkt importohet kryesisht nga vendet EU, CEFTA, EFTA me tarifë 0%. Duke marrë parasysh të dhënat vjetore për këtë produkt të importuar në vitin 2015, efekti i reduktimit të kësaj tarife nga 2 në nivelin 0%, parashikohet të ketë efekt negativ në të ardhura me rreth 30 milionë lekë.
Ligji për tatimin mbi të ardhurat, shpenzimet për interesat e bankave njihen pjesërisht të zbritshme
Në ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, Parlamenti miratoi aktin ligjor që njeh si shpenzim të zbritshëm, deri në 30% të të ardhurave të tatueshme para interesit. Interesat që paguhen për kreditë apo huatë te të tretët nuk do të njihen si shpenzime të njohura nëse teprica e shpenzimit neto të interesit tejkalon 30% të të ardhurave të tatueshme para interesit dhe tatimeve. Më parë, interesat nuk njiheshin si shpenzime të zbritshme, nëse huaja dhe parapagimi tejkalonin mesatarisht katër herë shumën e kapitaleve të veta. Sipas relacionit që shoqëron këtë ndryshim, “Financimi me borxhe shumë të larta i shoqërive, sidomos nga jashtë vendit apo nga kompani të lidhura, është shkak për një erozion të papranueshëm të bazës së të ardhurave të tyre, pasi interesi mbi borxhin, ndryshe nga dividendi, është i zbritshëm për qëllime tatimore. Në këtë mënyrë, shpesh shoqëritë kontribuojnë me borxh ndaj bijave përkundrejt rritjes së kapitalit”. Për këtë qëllim, projektligji propozon ndryshim në rregullat për njohjen e shpenzimit të interesit për qëllime tatimore. Ky parashikim e lidh njohjen e shpenzimit të interesit me kapitalet e veta. Ky rregull i thjeshtë i kapitalizimit që bazohet në raportin borxh/kapital, synon të zëvendësohet me një rregull tjetër, i cili bazohet në fitimin përpara interesit dhe tatimeve dhe e lidh shpenzimin e interesit edhe me tepricën ndërmjet shpenzimeve të interesit me të ardhurat nga interesi, thuhet në relacion.