Shqipëri/ PD: Xhafaj t’u shpjegojë shqiptarëve pse nuk e arreston vëllain trafikant

13.05.2018 13:44:23

Partia Demokratike ka vijuar edhe sot të akuzojë ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj se i ka dhënë “imunitet” vëllait të tij trafikant droge, Agron xhafaj, duke e mbrojtur përballë ligjit,

Nga selia blu, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi dhe Ervin Salianji deklaruan se familja Xhafaj tahsmë e ka shkelur edhe ligjin Antimafia, pasi ministri pengon forcën vepruese të tij të prekë vëllain.

Alibeaj tha se ministri ka gënjyer më 7 tetor 2010, kur tha se vëllai i tij, Agron Xhafaj e ka vuajtur dënimin.

“Agron Xhafaj nuk ka bërë burg nga dënimi prej 7 vitesh nga autoritetet italiane. Nuk ka vuajtur asnjë pasojë ligjore. Fatmir Xhafaj e ka ndihmuar që t’i shpëtojë drejtësisë. Janë burgosur kryefamiljarë për dritat ose kuksianët për traun e “Rrugës së Kombit”, ndërsa Agron Xhafaj, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, nuk burgoset. Ai ka siguruar paprekshmëri nga policia sepse është vëllai i ministrit të Brendshëm”, deklaroi deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj.

“Xhafaj t’u shpjegojë shqiptarëve pse ligji nuk vepron mbi vëllain e tij”, shtoi Alibeaj.

Sipas Salianjit, ministri Xhafaj ka thënë se ndihmoi vëllanë t’i kthehet jetës normale, por kjo gjë sipas PD nuk mund të arrihet pa vuajtur dënimin që është dhënë në bazë të ligjeve.

“Fatmir Xhafaj deklaron se kthimi në jetën normale i një trafikanti droge vjen me këshilla e reflektime, pra pa vuajtur dënimin nga Italia. Kur pasuritë e vëna përmes aktivitetit kriminal të trafikut të drogës nuk sekuestrohen dhe vendosen në shërbim të vijimit të këtij aktiviteti”, tha Salianji.

Ndërkohë ish-ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi publikoi provat që sipas PD tregojnë se ministri i Brendshëm “nuk flet dot, sepse nëse flet i duhet të pranojë se e ka ndihmuar të vëllain që t’i shpëtojë drejtësisë”.

1- Së pari, Fatmir Xhafaj nga pozicioni i Ministrit të Brendshëm ka shkelur ligjin për të ndihmuar vëllain e tij ti shpëtojë vuajtjes së dënimit duke penguar cdo veprim për ekstradimin e tij:
(i) për të verifikuar dhe identifikuar identitetin e ri të Agron Xhafajt;
(ii) për të njoftuar autoritetet italiane për vendndodhjen e tij në Shqipëri;
(iii) për arrestimin dhe burgosjen e tij.

Fatmir Xhafaj këtë e ka për detyrë ta bëjë për çdo qytetar shqiptar që ka një dënim të pa ekzekutuar, por për Agron Xhafajn, vëllain e tij, nuk është zbatuar. Përkundrazi, policia e shtetit nuk vepron. Policia e Shtetit është nën urdhrat dhe shërbimin e Familjes Xhafaj. Ajo është shndërruar nga Policia “Habilaj” në Policia “Xhafaj”.

2- Së dyti, Fatmir Xhafaj, nga pozicioni i tij si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, falsifikoi dokumentet zyrtare, dhe trafikoi në mënyrë të paligjshme në Kodin e Procedurës Penale një dispozitë ligjore:
(i) Për të pamundësuar ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit,

(ii) Për të pamundësuar njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëj asnjë ditë burg as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge.

Fatmir Xhafa e bëri këtë në kundërshtim me Konventën Europiane të Ekstradimeve, fakt të cilin e pohoi edhe Ministri Italian i Drejtësisë, jo më larg se 6 muaj më parë.

3- Së treti, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton Ligjin Antimafia. Nga pozicioni i tij si Ministër i Brendshëm Fatmir Xhafaj pengon Ligjin Antimafia të veprojë ndaj Agron Xhafajt.

Bardhi vijoi më tej duke thënë se “policia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të zbatuar masa parandaluese ndaj Agron Xhafajt dhe rrethit të tij familjar, nëpërmjet sekuestrimit të pasurive, veprimtarive ekonomike apo tregtare, siç e kërkon Ligji Antimafia”.

“Kjo sepse aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm, automatikisht e bën subjekt të ligjit, vetë Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku Ministri i Brendshëm, përgjegjës për zbatimin e Ligjit Antimafia, është vetë subjekt i Ligjit Antimafia. Të tre këto prova tregojnë qartë sesi Fatmir Xhafaj është drejtpërdrejt i përfshirë nga pozicioni i Ministrit të Brendshëm dhe më parë i Kryetarit të Komisionit të Ligjeve për të mbrojtur të vëllain e dënuar për trafik ndërkombëtar droge”, tha Bardhi.