Shqipëri/Për 45 ditë zgjedhje të parakohshme”, botuesi i njohur: Ja si bie qeveria

20.02.2019 16:46:59

Djegia e mandateve të opozitës ka bërë që në media të diskutohen disa skenarë për të ardhmen e vendit, ku nuk janë përjashtuar as konflikti civil dhe zgjedhjet e parakohshme.

Një nga ithtarët e idesë se shqiptëryt do t’i drejtohen kutive të votimit për dy palë zgjedhje në qershor, lokale dhe të përgjithshme është edhe botuesi i gazetës “Koha Jonë” Nikollë Lesi.

Në një analizë të publikuar së fundmi rreth çështjes më të nxehtë të momentit, Lesi thotë se kryeministri Edi Rama mund të blejë ndonjë deputet të PD-LSI, pasi sipas tij, kudo ka qenër dhe bushtra të lira dhe të lirshëm, por kjo nuk do të thotë se Shqipëria s’do të hyjë në zgjedhje.

“Edi Rama është zënë në një çark, papritur, dhe akoma nuk e ka marrë veten nga vendimi surprizë i opozitës për djegien e mandateve të deputetit. Edhe nëse firon ndonjë deputet nga PD apo LSI duke u ushqyer në grazhdin e Qeverisë, prapë se prapë vendimi i opozitës mbetet politik e nuk ndikon aspak në Parlament apo në publik. Opozita zyrtare e ka djegur parlamentin. Mund të blihen “salirexhepër”, sepse kudo gjendet qenër apo bushtra të lira dhe lirshëm. Rëndësi ka që zyrtarisht opozita ka vendosur për mosnjohje të Kuvendit të Shqipërisë, duke djegur mandatet”, shkruan Lesi.

Sipas tij, vetë kryeministri Rama do të kërkojë mocion besimi në Parlament në fillim të marsit, por pritet që të mos i marrë 71 vota pro, ndaj qeveria do të biejë.

“Me Ramën dhe me këto vendime të forta të opozitës në mbrojtje të votës së lirë, nuk ka asnjë shans marrja e statusit. Vetëm qeveria e propozuar nga opozita mund t’i jap vendit vendin e kandidatit zyrtar për në BE. Tani burime nga grupi antiRama në PS sqarojnë se Edi Rama po shikon mundësinë e një loje dinake kushtetuese. Javën e parë të marsit do të kërkojë Mocion Besimi në Parlament dhe ti porosisë deputetët e tij të mos e votojnë në bllok, ç’ka do të thotë se nëse nuk merr 71 vota pro, qeveria bie dhe shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thekson botuesi i “Koha Jonë”.

Lesi shprehet i sigurt se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare për 45 ditë.

“Sipas Kushtetutës vendi shkon për 45 ditë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por me këtë qeveri dhe kryeministër. Loja e tij luhet që “a deshët zgjedhje?!”. Hajde e shkojmë sipas Kushtetutës me mua kryeministër!”, nënvizon Lesi.