Shqipëri: PS, kallëzim penal Bashës për pastrim parash. Kreu i PD: Shkoni që sot  

30.11.2017 12:03:30

Mazhoranca dhe opozita kanë shkëmbyer sërish akuza ndaj njëra-tjetrës në Kuvend, edhe pse seanca plenare është parashikuar të diskutohet projektbuxheti i vitit 2018.

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, taulant Balla tha se ku i gjeti paratë Lulzim Basha për t’i nxirë faqen Shqipërisë me artikuj të pavërtetë. Balla tha se të hënën do të bëjë një kallëzim penal në Prokurori për këtë rast.

Pas deklaratës së bërë nga deputeti socialist, lidhur me atë që e ka quajtur skandalin e financimit, ka reaguar prerë kryedemokrati Basha.

“Edi Rama nga gjithë njerëzit për të bërë furtunën e radhës në gotë që ti ikësh pyetjeve që nuk u jep dot përgjigje për Tahirin, Habilajt, Balilajt, vëllanë e Ministrit të Brendshëm, për llogaritë ofshore që të ka akuzuar OSBE, për 200 milionë euro, i vure gishtin këtij, nuk e di, apo nuk do ta dish se ky ka rënë në rrjetën e hetimit për pastrimin e parave prej vitesh dhe nuk e mbron më as imuniteti, as fjalimet e stisura.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla iu drejtua sot në Kuvend kreut të demokratëve, Lulzim Basha për të dhënë shpjegime lidhur me 1 milionë USD të cilat sipas tij janë përdorur për të sponsorizuar artikuj që nxijnë Shqipërinë.

Balla deklaroi po ashtu se është dita kur Basha duhet të japë shpjegime.

“Ti Lulzim Basha duhet tu thuash shqiptarëve se ku i ke gjetur 1 milionë dollar për të paguar artikuj që nxijnë Shqipërinë. Burime të konfirmuara bëjnë me dije se këto para i përkasin një fondi të zi aferash korruptive të administruara nga një person i lidhur me Bashën. Ky fond është regjistruar në një ishull offshore për të fshehur lidhjet me Bashën. Ky po i shmanget pyetjeve direkte për përdorimin e parave. Sot është dita të dalësh këtu dhe të sqarosh ku i ke gjetur 1 milionë USD për të nxirë Shqipërinë, përmes kujt i ke çuar këto para në një ishull offshore për ti ikur radarëve të ligjit?”, tha Balla.

“Ne do paraqesim të hënën kallëzim penal për Bashën si i akuzuar për këtë skemë mashtrimi financiar me vulën e Partisë Demokratike”, theksoi me tej kreu i grupit parlamentar te PS.