Shqipëri/ Shkarkohet kreu i SHKP, Rama – drejtorëve: S’ka parti që iu mbron

06.03.2018 23:07:14

Një mbledhje e zhvilluar mbrëmjen e sotme me 12 drejtorët rajonalë të zyrave të punës, në Sallën e Hartave në Kryeministri, ka përfunduar me një vendim surprizë të kreut të qeverisë, Edi Rama.

Kryeministri ka shkarkuar drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko dhe në vend të tij ka emëruar Elira Caushin, aktualisht punonjëse në Kryeministri.

Rama ka pasur edhe një mesazh të fortë për 12 zyrtarët që priti “në shtëpinë” e ekzekutivit duke i paralajmëruar për shkarkime të ngjashme, të varura nga rezultati i tyre në punë që nga fillimi i muajit tjetër.

“S’ka parti që iu mbron muajin tjetër. Ndërmjetësoni me bizneset, punësoni njerëzit se vendet janë bosh. Do iu ndjek personalisht dhe individualisht”, është shprehur Rama.