Shqipëri/ Shoferi i prokurorit mes jetës dhe vdekjes, dy plumba në mushkëri dhe në shtyllën kurrizore

02.11.2019 11:43:37

Andi Maloku mbeti i plagosur dje në atentatin që ndodhi në mbikalimin e Shkozetit, ndërsa sot lufton ende me jetën. Mjekët e Spitalit të Traumës në të cilin ndodhet Maloku, thanë se ai nuk është në gjendje kome, por ndodhet i intubuar dhe se orët në vazhdim janë vendimtare për të. Mësohet se ai ka marrë dy plumba, në mushkri dhe në shtyllën kurrizore.

“Është intubuar, nuk është në koma. Ka plumba në të dy anët e mushkërive. Një plumb i ka prekur në shtyllën kurrizore, duke e bërë që të humbasë ndjeshmërinë e trupit. Personi po mbahet nën mbikëqyrje 24 orë në 24 në reanimacionin e spitalit dhe orët në vazhdim do të jenë vendimtare për jetën e Andi Malokut” – thonë mjekët.

Sipas tyre duhet të kalojë një farë periudhe kohë që mjekët të shprehen më qartë se si do të vijojë gjendja e tij shëndetësore pasi mund të ketë një përkeqësim të momentit që mund të ndryshojë rrjedhën e situatës.

Siguria e shoferit të prokurorit Arjan Ndoj është në maksimum pasi në spital vijojnë të qëndrojnë jashtë derës së spitalit dy patrulla policie dhe një automjet i forcave “Shqiponja”. Por kordoni i policisë që ka qenë dje nuk është më. Sot masa e sigurisë janë më të pakta. Nuk janë prezent forcat e Policisë me antiplumb dhe me armë kallashnikov”.