Shqipëri: Survejimi i Bashës? PD: Me urdhër të Ramës, operacion kriminal

01.06.2018 21:44:49

Nën kryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, përmes një deklarate për shtyp, e ka cilësuar si të paligjshëm, antikushtetues dhe kriminal, survejimin që sipas PD-së, Policia e Shtetit po i bën Lulzim Bashës dhe familjes së tij. Sipas Spahos, ndjekja dhe përgjimi i kryetarit të opozitës bëhet për interesa kriminale, dhe është me urdhër të kryeministrit Rama dhe të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

”Këto operacione klandestine kriminale kanë garancinë e mbrojtjes nga prokuria politike e drejtuar nga Arta Marku, përfaqësuesja dhe shërbëtorja politike e dyshes Rama-Xhafaj. Këto veprime kriminale kanë garancinë e mosndëshkimit si rezultat i shkatërrimit të Gjykatës Kushtetuese, paralizimit të plotë të Gjykatës së Lartë dhe kontrollit të plotë mbi sistemin e drejtësisë nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj”,tha Sapho.

Duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e ministrit Xhafj, Sapho tha se: ”Të largohet për t’i hapur rrugën dekriminalizimit të vërtetë të Policisë së Shtetit, e cila është kthyer nga një strukturë private e vëllezërve Habilaj në një strukturë private të vëllezërve Xhafaj. Sot, është më e domosdoshme se kurrë që Reforma në Drejtësi të kthehet në binarët kushtetues, për ta çliruar drejtësinë nga kapja që i ka bërë Edi Rama dhe, përmes tij, krimi i organizuar”.