Shqipëri/ Të akuzuar për skandalin tek “Unaza e Re”, Gjiknuri dhe Qendro dehen me birra

18.06.2019 11:22:56

Skandali i tenderit të Unazës së Re duket se nuk është më një shqetësim për ish-ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknurin.

Disa muaj pas zbulimit të tenderit korruptiv, ish-ministri është fotografuar duke u argëtuar në Sarandë me ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro.

Mësohet se Gjiknuri dhe Qendro kanë qenë nën shoqërinë e njëri-tjetrit të premten në qytetin bregdetar, duke festuar 28-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.

Me një tavolinë të mbushur plot e përplot me birra, dy miqtë i kanë harruar shpejt akuzat për aferën e “Unazës së Re” dhe i janë rikthyer qejfit. Nga fotot duket qartë se ish-ministri dhe ish-drejtori po shijojnë në maksimum atmosferën, me një lumë pijesh para.

Më herët, Gjiknuri e ka pranuar publikisht se kompania fituese në lotin e parë të projektit të “Unazës së Madhe” ka falsifikuar dokumentet dhe kjo është dokumentuar edhe nga autoritetet amerikane. Sipas ish-ministrit, DH Albania ka falsifikuar dokumente jashtë territorit të Shqipërisë.

Në lidhje me këtë çështje, Afrim Qendro, ish Drejtor i ARRSH-së, është thirrur në prokurori, por ka mohuar çdo akuzë. Sipas tij, ARRSH nuk ka bërë asnjë shkelje.

“Erdha si drejtor. Nuk kam se çfarë të them, nuk ka asnjë shkelje, ARRSH nuk ka bërë asnjë shkelje”, ka deklaruar ai.

Në tenderin e anuluar, kompania “DH Albania” e fitoi kontratën për ndërtimin e lotit të parë me një çmim prej 18 milionë eurosh.

Ndërkohë, ARRSH ka dorëzuar në prokurori të gjithë dokumentacion në lidhje me tenderin e parë. Hetime po bëhen edhe në Shtetet e Bashkuara për të zbuluar se kush janë pronarët e vërtetë të kompanisë guaskë “Dunwell Haberman Albania”, që pa asnjë lloj përvoje arriti brenda pak muajsh të fitojë dy tenderë me vlerë të konsiderueshme prej 30 milionë euro.

Ka shumë pikëpyetje që pritet të marrin përgjigje nga hetimet. Skema e përfitimit të tenderëve, njëri i ARRSH-së dhe tjetri i OST-së ka qenë identike, një garë fiktive ku merrnin pjesë dy kompani, njëra prej të cilave nuk paraqiste ofertë financiare duke bërë fituese automatiksht “Dunwell Haberman Albania”.