Shqipëri/ Trafik droge dhe vrasje/ Kush janë 5 të dënuarit në Elbasan që u kërkohet pasuria

18.08.2020 11:05:35

OFL u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: Elis Bahushi, Edmond Stafa, Met Bozi, Bledi Çepa, Armand Gavelli

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i OFL

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

E. B.  banues në Elbasan, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”;

E.  S.  banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;

M.  B.   banues në Elbasan, i  dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;

B.  Ç.  banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

A. G. banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.