Shqiperi/ U kapën me lekë në makinë duke blerë vota, reagon menjëherë Policia: U arrestuan dy persona për korrupsion

23.04.2021 13:27:14

Ditën e djeshme në Maqellarë u ndalua një makinë nga militantë të Partisë Demokratike, pasi oretendohet nga këto të fundit se po bliheshin vota nga kundërshtarët politik.

Policia ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen, ku bëjnë me dije se janë arrestuar dy persona ku akuzohen për veprat penale  “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë 2 persona të cilat kanë bllokuar rrugën 2 të arrestuarve.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit  në  Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale  “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të shtetasve:

A. C.,  25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër.

Më datën 22.04.2021, rreth orës 14:00, në segmentin rrugor Maqellarë-Peshkopi, në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, Policia sekuestroi  një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit  A. S. dhe G. H., banues në Dibër, pasi u kanë bllokuar rrugën dy shtetasve të arrestuar, në afërsi të rrethrrotullimit të Maqellarës, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur iu referuan  Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.